×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Qeveria gjermane miratoi ligjin për shtetësinë e dyfishtë: Kush do të mund të marrë pasaportën?

    Insajderi
    06 September 2023 - 10:06
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Qeveria gjermane miratoi të mërkurën një ligj të shumëpritur për modernizimin e rregulloreve të shtetësisë, duke lejuar shtetësinë e dyfishtë.

    Ministrja e Brendshme gjermane Nancy Feser tha në një konferencë për shtyp se ligji i propozuar do të thjeshtonte procesin e natyralizimit dhe do të lejonte shtetësi të dyfishtë ose të shumëfishtë për emigrantët.

    “Ne po prezantojmë një ligj modern të imigracionit që do t’i shërbente më mirë vendit tonë modern dhe të larmishëm.” Ligji i ri për shtetësinë është një nga reformat më të rëndësishme të qeverisë sonë të koalicionit. “Më vjen shumë mirë që po e zbatojmë tani”, tha ajo.

    Sipas ligjit të propozuar, emigrantët do të kenë të drejtën e nënshtetësisë gjermane pas pesë vitesh qëndrimi në vend, në vend të tetë viteve të mëparshme.

    Për të huajt që kanë demonstruar arritje të jashtëzakonshme akademike ose profesionale dhe e flasin mirë gjuhën, kjo periudhë do të reduktohet në tre vjet.

    Ligji do t’i lejojë emigrantët të kenë shtetësi të dyfishtë ose të shumëfishtë, gjë që aktualisht nuk është e mundur për shumicën e tyre.

    Fëmijët e prindërve të huaj të lindur në Gjermani do të mund të marrin nënshtetësinë gjermane nëse të paktën njëri prind ka jetuar ligjërisht në vend për të paktën pesë vjet. Këta fëmijë do të mund të mbajnë edhe shtetësinë e prindërve të tyre.

    Aktualisht, më shumë se 12 milionë njerëz në Gjermani, rreth 14 për qind e popullsisë së përgjithshme, nuk kanë shtetësi gjermane. Sipas të dhënave zyrtare, rreth 5.3 milionë prej tyre jetojnë në vend prej të paktën 10 vitesh.

    Reforma e ligjit të shtetësisë gjermane ishte një pjesë qendrore e marrëveshjes së koalicionit, kur Social Demokratët, Të Gjelbrit dhe Demokratët e Lirë liberalë formuan një qeveri koalicioni dy vjet më parë.

    Kancelari Olaf Scholz ka thënë vazhdimisht se përshpejtimi i procesit të natyralizimit, duke mundësuar shtetësi të shumta për emigrantët, do të përmirësonte integrimin, pjesëmarrjen sociale dhe politike.

    Ligji i propozuar ka nevojë për miratim parlamentar dhe pritet të debatohet në Bundestag pas pushimeve verore.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark