×
  • Lajme
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    Qeveria Kurti ia anulon sërish FC Ballkanit subvencionimin prej 40 mijë eurove

    Insajderi
    15 September 2023 - 16:00
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Qeveria e Kosovës ia ka anuluar Komunës së Suharekës subvencionimin prej 40 mijë eurove për klubin e futbollit “Ballkani”. Në dokumentin e siguruar nga Gazeta Insajderi, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve i ka sqaruar komunës se ky akt nuk është i zbatueshëm.

    Gazeta Insajderi

    Me datë 28 korrik 2023, Kuvendi Komunal i Suharekës kishte miratuar vendimin për ndarjen e 40.000 mijë eurove klubit të futbollit “Ballkani” për ushtrimin e aktiviteteve sportive.

    Ky vendim u parashtrua për shqyrtim në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal me datë 31 korrik 2023, më pas me 3 gusht u dërgua për shqyrtim në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve.

    Në dokumentin e Ministrisë së Financave, thuhet se Komuna e Suharekës ka dështuar të specifikojë nën-programin e caktuar të shpenzimit, kategorinë e shpenzimeve, burimet e fondeve dhe nga ku po financohet.

    Kështu, Ministria e Financave ka sqaruar se akti i Komunës së Suharekës është i pazbatueshëm dhe i ka rekomanduar ta plotësojë ose ta ndryshojë këtë akt.

    Siç mëson Insajderi, subvencionimi i KF “Ballkanit” bie në kundërshtim me ligjin për subvencionimin e Organizata joqeveritare, pasi që klubi është i regjistruar si biznes privat (SHPK) në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës.

    Po ashtu, në Sistemin Elektronik të Organizatave Joqeveritare (SEOJQ), klubi i futbollit “Ballkani” figuron organizatë e shuar.

    Gazeta Insajderi ka mësuar se Kuvendi Komunal i Suharekës në mbledhjen e radhës e cila pritet të mbahet me 20 shtator, ka në rend dite “shqyrtimin e projekt-vendimit për t’i ndihmuar klubit‘.

    Kujtojmë se, e njëjta situatë mes pushtetit, komunës dhe klubit ndodhi edhe vitin e kaluar. Në maj të 2022’ës, Komuna e Suharekës njoftoi se janë ndarë 80 mijë euro për klubin e Ballkanit, por pas disa ditësh Qeveria e Kosovës i bllokoi.

    Kampioni i Kosovës i kërkoi komunës mbështetje për kryerjen e fazës përgatitore 10 ditore në Bolu të Turqisë, ku kostoja ishte fiks 80 mijë euro.

    Por, në vitin 2021 Qeveria e Kosovës ia kishte aprovuar Komunës së Suharekës subvencionimin e klubit “Ballkani” në vlerë prej 80 mijë euro.

    Kjo shumë ishte kërkuar nga klubi “Ballkani” për përgatitje fizike në Durrës dhe në Antalya të Turqisë.

    Ndryshe, FC Ballkani është shpallur kampion i Superligës së Kosovës dy herë radhazi, gjatë sezonës 2021/2022 dhe 2022/23.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark