Viti 2022 u shpall si “vit i personave me Aftësi të Kufizuara”, por, rezultatet sipas organizatave për këtë kategori, janë të pakënaqshme karshi premtimeve që u dhanë nga qeveria.
Insajderi
Në mars të këtij viti, Zyra për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit e shpalli vitin 2022 si “Vit i Personave me Aftësi të Kufizuara në Republikën e Kosovës”.
Nga drejtori i kësaj zyreje, Habit Hajredini u tha se gjatë vitit 2022 do të punohet në të gjitha specifikat duke përfshirë arsimin, shëndetësinë, mirëqenien sociale, punësimin, qasjen dhe parandalimin e diskriminimit për këtë kategori.
“Ne si Qeveri e Republikës së Kosovës synojmë që gjatë vitit 2022 të jemi shumë aktiv me të gjitha dikasteret e ministrive në nivel qendror dhe lokal për të realizuar, implementuar të gjitha aktivitetet e parapara në kalendarin për vitin e ardhshëm. Sepse, është një zotim jo vetëm në letër por edhe në aspektin buxhetor, që këto aktivitete janë të realizueshme nga ana e institucioneve”, tha Hajredini atëkohë.
Por, pesë muaj më vonë, rezultatet po duken të jenë ndryshe nga se u premtuan në marsin e 2022-tës.
Në një përgjigje për Insajderin, menaxheri i programit në Handikos, dega Ferizaj, Enver Kosumi, tha se pavarësisht se ky vit është shpallur për personat me Aftësi të Kufizuara, nuk ka pasur lëvizje përmirësimi në asnjërën fushë.

I njëjti tha se ky vit është madje edhe më keq se vitet e kaluara.
“Nuk di çfarë të them, edhe pse u shpall vit i aftësive te kufizuara nuk ka pas lëvizje ne asnjë fushe duke fillua nga edukimi punësimi e permiresimin e sherbimeve sociale rehabilituese, nuk ka pas iniciativa përpos vendimit qe është marre nuk ka lëvizje ne kuptimin qe kane fillu përmirësimet ose pakot ligjore qe me e rregullu situatën. Situata është njëjte madje edhe me keq”, tha Kosumi për Insajderin.
Në qendrën e Handikosit, në Ferizaj aktualisht janë të anëtarësuar afro 1 mijë persona, dhe sipas Kosumit shumica nga ta nuk mendojnë se ka pasur përmirësim as këtë vit.
Që problemet me të cilat përballen kjo kategori e personave nuk zgjidhen me “shkop magjik” e thotë Kryetari i Shoqatës së të Verbërve të Kosovës, Daut Tishuki.

Ai tha për Insajderin se disa gjëra kanë filluar pak të lëvizin, pasi Qeveria ka aprovuar edhe kalendarin e aktiviteteve që me raste zbatohet.
“Ka efektet e veta ndoshta vendimi për të shpall vitin si person i aftësive të kufizuara, por, ka shumë probleme saqë nuk zgjidhen me shkop magjik. Faktikisht gjanat kane filluar të lëvizin, Qeveris e ka aprovuar edhe kalendarin e aktiviteteve dhe shumicën e rasteve po zbatohet ato aktivitetet”, tha Tishuki për Insajderin.
Tishuki tha se kanë pritje që ky vit të jetë më i suksesshëm megjithëse sfidat nuk do të gjejnë zgjidhje këtë vit.
“Ka nisma për zgjidhjet e problemeve, por pikërisht presim me qenë vit i suksesshëm, sfidat s’munden të zgjidhen këtë vit, por ,kur ndryshon qasja dhe ka vlerësim më të mirë ndryshon gjithçka”, shtoi si përfundim ai për Insajderin.
Kurse, Shqipron Kuliqi i cili është drejtor i Shoqatës së të Verbërve për kulturë , rini dhe sport tha se pritjet ishin shumë të mëdha për kushte më të mira gjatë këtij viti.

Ai tha se nuk ka pasur rezultat në punësimin e personave me aftësi të kufizuara, si pikë kryesore për këtë kategori.
“Duke marrë parasysh që Kryeministri Kurti e shpalli vitin 2022 si “Viti i Personave me Aftësi të Kufizuara”, pritjet ishin shumë të mëdha se do krijoheshin kushte më të mira për këtë kategori. Por, realisht, nuk është bërë aq punë e madhe për punësimin e këtyre personave, e kjo është nevoja më e madhe e Personave me Aftësi të Kufizuara”, tha Kuliqi për Insajderin.
Ai tha se personat me aftësi të kufizuara nuk kanë kërkuar lëmoshë asnjëherë, por zbatim të meritokracisë për shkak të sakrificave që kanë.
“Ne nuk kemi kërkuar lëmoshë asnjëherë, por kërkojmë të zbatohet meritokracia sepse krmi sakrifikuar shumë që të studiojmë dhe nuk duhet të na u hidhet poshtë ky mund me paragjykime apo mos-dhënie të mundësisë për ta dëshmuar veten”, tha ai për Insajderin.
Ai tha se pavarësisht që Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Financave kanë dhënë mundësinë për subvencionimin e bizneseve dhe organizatave dhe personat me aftësi të kufizuar për punë praktike 6 mujore, ky grup ka nevojë për punë afatgjata.
“Së fundmi është marrë dhe një hapë nga Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Financave që t’i subvencionojnë bizneset-organizatat dhe personin me Aftësi të Kufizuara në një punë-praktike gjashtë mujore, e nëse biznesi e pranon edhe në punë të rregullt pas gjashtë muajve personin e trajnuar, Qeveria ia paguan një pagë 270€ edhe për gjashtë muaj të tjerë”, tha i riu nga drenica për Insajderin.
Kuliqi tha se kërkojnë më shumë vëmendje institucionale në praktikë sesa në teori.
“Ne kemi nevojë për punë afatgjate e jo vetēm punë 2-3 apo 5 vjeçare. Shpresojmë që në të ardhmen e afërt të ketë më shumë vëmendje institucionale e të shikohemi të barabartë me të gjithë ashtu siç e thonë shpesh në teori, por nuk e zbatojnë në praktikë”, tha për fund Kuliqi.