×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Qysh u poshtërua analisti Shkëlzen Gashi nga sulmet që i bëri vetë?

    Insajderi
    17 April 2023 - 12:55
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Një debat kushtuar fjalës e lirë që u realizua javën e kaluar i kushtoi shtrenjtë një analisti të njohur televiziv. Më poshtë keni mënyrën se si u turpërua Shkëlzen Gashi nga… fjalët e tij.

    Po javën e kaluar, Gashi pretendoi se avokati i Thaçit e kishte kriminalizuar UÇK-në në fjalën hyrëse të tij. Natyrisht, ai nuk e ofroi asnjë provë të vetme për një gjë të tillë.

    Por, ajo që ndodhi në përplasjen e tij me deputetin e VV-së, z. Ardian Gola është përtej çfarëdo përshkrimi që mund t’i japim, shkruan nacionale.

    Në debatin “Pressing” në T7 po flitej pra për fjalën e lirë. Për 1 orë e 18 minuta, secili prej panelistëve qëndroi në temë… derisa, Shkëlzen Gashi vendosi krye në vete të dilte nga tema dhe të qëndiste një varg sulmesh personale.

    Sulmet

    “Ti je kot, ti je domethonë i kompleksumë, ti ki probleme personale,” – nisi të bërtiste z. Gashi në drejtim të z. Gola.

    Ai po e akuzonte deputetin se e kishte sulmuar një organizatë jo-qeveritare (ORCA-n) për shkak të mosarritjes së avancimit akademik.

    “Unë kurrë s’jom marrë me to. ORKA u marrë me to, edhe e ka diskualifiku, a po kupton?” – i tha ai derisa qeshej.

    Gola gjatë gjithë kohës provoi që të reagonte, por debati ishte i atij niveli që zëri më i lartë triumfonte. Dhe Gashi me zë të lartë nuk e lejonte deputetin që të fliste kur ai kërkonte të reagonte.

    “Nuk ki nevojë me reagu,” – i tha në një moment.

    “Unë nuk pranoj me u marrë me ty,” – i tha pasi ishte marrë me të madje edhe personalisht.

    Të mos dish as emrin

    Imagjinoni sikur të jeni pjesë e bordit të një organizate apo kompanie dhe të mos e dini se si shqiptohet akronimi i saj. Pra, të mos e dini emrin e saj. Ose edhe më keq, shkaku i mos-njohjes së gjuhës shqipe ta emëroni gabimisht atë.

    Kjo i bëri vaki Gashit dhe u ekspozua nga Gola qysh në emision.

    Megjithëse Gola nuk po lejohej që të fliste, ai në një moment organizatës ku bënte pjesë Gashi i referohet si “Orca” (lexo me ‘c’ dhe jo me ‘k’) dhe jo Orka. Ishte një provokim i qëllimshëm.

    “Nuk thuhet Orcës, por thuhet Orkës,” – reagoi ashtu përngutshëm Gashi.

    “Jo, qysh Orca? Osht Orka. Ajo nuk është kilësia, osht cilësia,” – ia ktheu z. Gola duke e pasur fjalën për shkronjën e tretë në akronomin e kësaj organizate joqeveritare.

    Ajo quhet “Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim”. Dhe deputeti kishte të drejtë.

    Gashi nuk kishte përgjigje për një gjë të tillë, duke vazhduar të bënte zhurmë për të mos e lënë Golën që të fliste.

    Por, vini re përsëri emrin e organizatës. Aty e kemi edhe shkronjën Rr, e njëzetepesta në alfabet, dhe akronimi i organizatës do të duhej të ishte “ORrCA” apo jo? A është për ritjen apo rritjen e cilësisë së arsimit? Pra, shumë shumë larg “Orkas” së pretenduar.

    Eskalim total

    E mbani mend se si Gashi po e sulmonte personalisht Golën dhe nuk po e lejonte të fliste? Eh, bash për një gjë të tillë po në atë emision e akuzonte këtë të fundit.

    “Mos fol palidhje, nuk është personale,” – i tha në një moment Gola, Gashit. Por, lexojeni reagimin e analistit:

    “Mos ofendo, mos ofendo se je deputet edhe je profesor universitar. Ma s’pari po ndërpren, s’dyti po ofendon po thu po flet palidhje,” ­ – u shpreh ai. Por, a s’ishte duke e bërë ai një gjë të tillë me sulme të rënda ad hominem dhe me ndërprerje të vazhdueshme?

    Të akuzosh dikë për diçka që e ke bërë para pak sekondash, është diçka e padëgjuar më parë. Siç mund ta dëgjoni në videon e mëposhtme, ai nuk i jep Golës asnjë sekondë të vetëm për të thënë ndonjë fjalë.

    Gola e pyet vazhdimisht për aq pak kohë sa i lejohet se kur nuk ka mundur ai të avancohej për shkak të Orkës.

    “Kur, kur, kur, kur?” – ngulmon z. Gola.

    Pas shumë kohe duke u munduar të evitonte përgjigjen, Gashi i thotë këto fjalë:

    “Ti e ki problemin te avancimi që ka me t’ardhë,”

    Pra, doli se nuk ishte penguar avancimi i z. Gola nga organizata ORrCA por se mund të pengohej. “A-ha,” – bën z. Gola, në një shenjë se aty donte të dilte gjithë kohën.

    Por, absurditeti shkon tutje. Me piskamë të madhe në një moment, Gashi i thotë Golës: “O mos kce o njeri. Nalu, nalu. Rri mos fol” e pastaj duke ulur zërin “nuk të pengova asnjëherë,”

    Nuk e pengoi asnjëherë? Në cilin univers?

    Ai vazhdon ofendimet edhe më tej duke thënë: “A pe sheh kon e kemi profesor? A pe sheh kon e kemi deputet t’Kuvendit të Kosovës…”

    Dhe, edhe më vonë:

    “Pse je bo kaq nervoz? Pse je kaq i shqetësumë? Pse po bërtet kaq shumë? Pse sarakuqë? Pse po shtynë? Pse po pshtynë? Pse po gërvallesh?”

    E gjithë kjo përfundon me Golën që njofton se do të bëjë padi ndaj analistit Gashi. Dhe e gjithë kjo zgjati vetëm 10 minuta, prandaj ju ftojmë ta shikoni nga minuta 1:18:00 e deri në 1:28:20.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark