Termokosi ka është në fazën përfundimtare të përgatitjeve për sezonin e ri të ngrohjes, i cili do të fillojë më 15 tetor. Ndërkohë, borxhlinjtë e kësaj ndërmarrje paralajmërohen se kanë kohë një javë për shlyerje të borxheve.
Zëdhënësja e Termokosit, Afërdita Uka ka thënë se janë evidentuar edhe problemet që ishin paraqitur në sezonin e fundit, në ndonjërin prej objekteve banesore.
“Kanë filluar përgatitjet për sezonin e ri, sezonin e ardhshëm ngrohës, pra 2020-2021. Tani jemi në fazën përfundimtare të përgatitjeve për fillimi e këtij sezoni, gati se ka marrë fund edhe pastrimi në stacionin e ngrohjes, këtu që shpërndan ngrohje tek konsumatorët tanë, dhe tek nen stacionet ngrohëse nëpër objektet banesore kudo që është paraqitur ndonjë problem gjatë sezonës së fundit ngrohëse”, ka thënë Uka.
Uka ka thënë se nuk do të ketë vonesa në fillimin e sezonit, dhe më 15 tetor Termokosi do të jetë gati të fillojë sezonin.
“Si rrjedhojë e këtyre përgatitjeve.. për herë të parë në rrjetin e ngrohjes do të kyçen Teatri Kombëtar, Ministria e Kulturës, shkolla ‘Xixëllonja’, shkolla ‘Mentor Bajraktari’”, është shprehur Uka.
Ndërsa sa i përket borxheve që janë ndaj Termokosit, Uka ka paralajmëruar qytetarët që t’i shlyejnë borxhet që kanë ndaj kësaj ndërmarrje, përndryshe do t’i tërhiqen të hollat nga xhirollogaritë e personave.
Uka shtoi se kjo është faza e dytë e shpërndarjes së këtyre vërejtjeve ngase për shkak të pandemisë, prapë nuk janë ekzekutuar gjatë muajve të verës.
Ajo ka thënë se secilit që i është dërguar vërejtja nga Termokosi, për shlyerje të borxhit, kanë afat prej 7 ditëve që t’i shlyejnë borxhet.
“Është afati 7 ditor, kujtdo qoftë që i është dërguar vërejtja e dytë, nëse në afat prej 7 ditëve nuk reagon, ne në bashkëpunim me përmbaruesit privat, pasi që veç ata janë të identifikuar si konsumator tanë sigurisht që janë ditur edhe kontot e tyre bankare, do t’i tërhiqen”, ka thënë ajo.
Uka gjithashtu ka thënë se pas pak ditëve do të fillojë edhe një fushatë sensibilizuese për opinionin që të paguajë faturat e rrymës, duke iu shmangur grumbullimit të borxhit të vjetër, pasi që është më vështirë të inkasohet më pas.