Zyrtari i AAK-së, Burim Ramadani, ka reaguar lidhur me tenderin e dhënë për renovimin që ka ndodhur në kulmin e objektit të IML-së.
Ramadani tha se ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka për obligim që të sqarojë atë që Ramadani e quan zhvatje të buxhetit përgjatë vitit 2025.
“Në total, për vetëm tri pozicione, kontrata u fry nga 18,612 € në 50,360 €.Ministria e Drejtësisë u pajtua me këto gjetje dhe i nënshkroi, kështu Ministria ka pranuar zyrtarisht se ka fry kontrata deri në 326%!”, ka shkruar Ramadani.
Ndryshe, Zyra Kombëtare e Auditimit ka konfirmuar hulumtimin e Insajderit lidhur me vonesat në renovimin e kulmit të Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML) me vlerë prej 814 mijë e 229 euro.
Ndonëse punimet duhej të përfundonin më 21 maj 2025, IML-ja kur kishte raportuar Insajderi në maj të këtij viti ngjante më shumë me një gërmadhë të rrezikshme sesa me një institucion mjekoligjor.
Insajderi kishte publikuar dëshmi tronditëse nga terreni që dokumentojnë dështimin total të mbikëqyrjes nga ekipi i emëruar nga ish-drejtori Ditor Haliti.
Pamjet tregojnë një realitet tmerrues: salla e autopsisë që “noton në gjak” për shkak të dështimit të kanalizimit, instalime elektrike skandaloze që varen mbi kokat e stafit, shkallë të pasigurta dhe radiatorë të hedhur në dysheme.

Këto vonesa si dhe tejkalimin e kostove në kuadër të renovimit të kulmit të Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML), i ka konfirmuar edhe raporti i ZKA-së.