Kompania që tradicionalisht shpallet fituese e shumë tenderëve në Komunën e Deçanit, “Lika Trade”&”Lika Company”, pronarët e së cilës janë nga i njëjti fshat me kryetarin Bashkim Ramosaj, ka përfituar vetëm gjatë vitit 2025 mbi 16 milionë euro përmes kontratave tenderuese. Së fundi, Insajderi sjell detaje nga tender 1.77 milionësh, të cilin kjo kompani e ka nënshkruar me 2 shtator me Komunën e Deçanit për mirëmbajtjen e rrugëve.
Gazeta Insajderi
Komuna e Deçanit ka nënshkruar një kontratë 3-vjeçare në vlerë prej mbi 1.77 milionë euro për mirëmbajtjen verore dhe dimërore të rrugëve në territorin e saj. Kompania fituese e tenderit është grupi i operatorëve ekonomikë “Lika Trade Sh.p.k.” dhe “Lika Company SH.P.K.”.
Ky vendim është bërë publik në njoftimin zyrtar të publikuar më 1 shtator 2025, ndërsa kontrata është nënshkruar një ditë më vonë, më 2 shtator 2025.
Sipas të dhënave në E-Prokurim, lidhur me thirrjen e hapur për mirëmbajtjen verore dhe dimërore të rrugëve në Deçan, ka aplikuar vetëm grupi i operatorëve “Lika Trade Sh.p.k.” dhe “Lika Company SH.P.K.”.

Kompania përfituese ka fituar këtë tender pa pasur asnjë kompani tjetër ofertuese.

Sipas tenderëve të regjistruar në sistemin e Prokurimit, rezulton se kompania “Lika” ka përfituar mbi 14 milionë euro tenderë vetëm gjatë vitit 2025. Në këtë shumë nuk përfshihet tenderi i fundit në vlerë prej 1.77 milionë euro, çka e çon totalin për vitin në mbi 16.2 milionë euro.
Sipas të dhënave në ARBK, pronarët e kompanisë në fjalë janë nga Komuna e Deçanit. Insajderi mëson se pronarët e kompanisë, Jahir Lika dhe Sali e Fadil Likaj, janë nga i njëjti fshat me kryetarin aktual të Deçanit, Bashkim Ramosaj – fshati Carrabreg.
Sipas të dhënave në regjistrin e bizneseve, “Lika Company SH.P.K.” është e regjistruar më 15 mars 2021, me seli në Fushë Kosovë, dhe si pronar figuron Jahir Likaj. Ndërsa “Lika Trade SH.P.K.” është regjistruar në vitin 2006, dhe si pronarë figurojnë Sali dhe Fadil Likaj.
Të dyja kompanitë operojnë si grup konsorciumi nëpër tenderë publikë.
Kjo kompani kishte përfituar edhe një tjetër tender gjatë këtij viti në Deçan. Kryetari Bashkim Ramosaj, në prill të këtij viti, kishte shpërblyer me një tender prej 7.8 milionë eurosh konsorciumin “Lika Company & Lika Trade” për projektin “Ndërtimi-zgjerimi i rrugës, urave dhe strukturave nga Deçani deri në dalje për në Pejë – segmenti Lëbushë-Qendra e Strellcit”.

Për dallim nga tenderi i shtatorit ku nuk kishte asnjë kompani tjetër ofertuese, në tenderin 7.8 milionësh kishte aplikuar një kompani tjetër me çmim më të lirë për 640 mijë euro sesa kompania që u shpall fituese nga Komuna e Deçanit.

/Gazeta Insajderi/