×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Haradinaj e Limaj nënshkruajnë marrëveshjen e koalicionit parazgjedhor AAK-Nisma

    Insajderi
    17 January 2024 - 18:27
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe ai i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, kanë nënshkruar marrëveshjen e koalicionit parazgjedhor.

    “AAK dhe NISMA kemi arritur marrëveshje parazgjedhore. Ne bashkë në diskutimet disa mujore, kemi vlerësuar se qytetari i Kosovës ka mbetur i vetëm dhe në raste të caktuara edhe i luftuar nga Qeveria e Kosovës dhe Kurti”, ka deklaruar Haradinaj pas nënshkrimit.

    Limaj ka deklaruar se sot po hapet një derë për të gjithë ata që mendojnë se kanë çfarë të japin.

    AAK dhe Nisma ishin në koalicion bashkë në vitin 2017-2019 dhe në bashkëqeverisje edhe para disa viteve.

    Në atë kohë, Haradinaj ishte kryeministër ndërkaq Limaj ishte numri dy në kabinetin e tij.

    Nisma pas 2019-ës ishte në koalicion me AKR-në dhe nuk arriti ta kalojë pragun, duke mbetur jashtë Kuvendit.

    Nisma nuk ka asnjë deputet në Kuvendin e Kosovës në legjislaturën aktuale.

    Para pak ditësh, Limaj e ka komentuar punën e Qeverisë Haradinaj 1 dhe 2. Limaj tha se Qeverisja e fundit e Haradinajt karakterizohet me promovimin e prodhimeve vendore.

    “Mandati i parë i Qeverisë Haradinaj nuk mund të llogaritet pasi që ka qenë në një periudhë të shkurtë 2-3 mujore, pas aktakuzës në Hagë. Mandati i dytë ka qenë më një shumicë të vogël të qeverisë. Veçohet për promovimin e prodhimit vendor, në veçanti industrinë e drurit dhe prodhimtarinë bujqësore”, tha ai.

    Partitë opozitare e kanë quajtur vitin 2024 si “vit zgjedhor”, ndërkaq vetë PDK-ja ka kërkuar në vazhdimësi zgjedhje parlamentare. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark