
Tri ditë më parë, Gazeta Insajderi raportoi se një grup tjetër, i ngjashëm me “Albkings”, ishte krijuar në aplikacionin Telegram. Në këtë grup po zhvillohej veprimtaria e njëjtë kriminale, ku publikoheshin materiale private dhe të dhëna personale të grave shqiptare. Pas këtij raportimi, grupi u mbyll.
“Chat ON”. Ky ishte mesazhi me të cilin rinisi aktivitetin edhe një grup, sikurse dikur “AlbKings”.
Edhe ky ishte krijuar në platformën ruse Telegram. Për më pak se 24 orë, kishte grumbulluar afro 8 mijë burra shqiptarë.
Deri në 600 prej tyre vazhdimisht ishin aktiv në të.
Hapja e këtij grupi erdhi në kohën kur administratori i AlbKings, Edin Nevzadi, i kishte ikur drejtësisë kosovare.
Ai ishte lënë pa masë paraburgimi, dhe më vonë, Nevzadi – një shtetas i Republikës së Serbisë – nuk ishte paraqitur në gjykatë.
Gjykata Themelore në Prishtinë, i kishte shqiptuar dënim me burgim prej 21 muajsh (1 vit e 9 muaj) dhe një gjobë prej 5000 eurosh, Florent Poroshticës, njërit nga administratorët e grupit “Albkings”.
Poroshtica ishte akuzuar për dy vepra penale: “vjedhja e identitetit dhe kredencialeve” dhe “shantazhi”.
Për veprën e parë, Poroshtica akuzohej se, në bashkëkryerje me të pandehurën E.S, me nofkën “Liderja”, kishte shpërndarë dhe lejuar shpërndarjen në grup nga ana e personave të tretë, pa autorizim, fotografi dhe video të ndjeshme të 12 viktimave, si dhe të dhëna personale siç ishin numrat e telefonave, emrat dhe mbiemrat, dhe kredencialet e tjera të këtyre të dëmtuarave.
Lexo edhe: E tmerrshme | Mbi 80 mijë burra bëhen bashkë në një grup në Telegram për të shpërndarë material diskreditues për gratë.
Për veprën e “shantazhit”, Poroshtica akuzohej se kishte kërkuar nga viktimat, familjarët apo shoqëria e tyre mjete monetare për t’ua fshirë postimet denigruese, dhe përfitimi monetar nga kjo veprimtari kishte arritur në shumën totale prej 2,344.44 euro.
Në lidhje me rastin “Albkings”, ishte raportuar gjithashtu se Edin Nevzadi, i akuzuari i dytë në këtë çështje, kishte ikur në Serbi. Sipas burimeve, Nevzadi, pasi kishte pranuar fajësinë për veprën për të cilën ngarkohej, kishte braktisur territorin e Kosovës dhe deri atëherë kishte qenë i pa arritshëm për organet e drejtësisë. Nevzadi akuzohej për veprën penale të “shtrëngimit”.
Ish-administratori i “Albkings”, Edin Nevzadi, ishte arrestuar më 17 prill 2024 dhe ishte liruar nga paraburgimi në tetor 2024, pasi kishte pranuar fajësinë.
Sipas njoftimit të gjykatës, më 17 tetor 2024, ishte pranuar kërkesa e Prokurorisë Themelore për ndërprerjen e masës së paraburgimit ndaj Nevzadit, pas arritjes së marrëveshjes për pranimin e fajësisë. Ai kishte dhënë adresën e saktë të vendqëndrimit në Kosovë dhe kishte premtuar se do të paraqitej para organet e drejtësisë çdo herë që do t’i kërkohej.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 27 janar, kishte njoftuar ngritjen e aktakuzës ndaj Florent Poroshticës, Edin Nevzadit dhe E.S. lidhur me rastin e grupit famëkeq “Albkings”.
Gazeta Insajderi kishte raportuar ekskluzivisht për aktivitetet e grupit “Albkings”, një raportim që kishte rezultuar i suksesshëm, pasi çoi në arrestime, ndërsa së fundmi u dha një dënim.
Pritet që të ketë edhe një epilog për të arrestuarit e tjerë, përfshirë ata që ishin ende nën hetim.
Insajderi do të vazhdonte t’ju mbajë të informuar me zhvillimet e mëtejshme në këtë rast.