Miliarderi Roman Abramovich, një prej oligarkëve rusë të sanksionuar nga Perëndimi për shkak të pushtimit rus të Ukrainës, po merr pjesë në bisedimet midis delegacioneve ukrainase dhe ruse në Stamboll, që po mbahen sot, raportoi Reuters duke u thirrur në burime.
Kremlini më herët ka thënë se Abramovich ka luajtur rol në bisedimet e mëhershme të paqes.
Ky lajm vjen një ditë pasi Wall Sreet Journal raportoi se Abramovich dhe negociatorët ukrainas për paqe janë përballur me pasoja të helmimit të dyshuar më herët gjatë këtij muaji.
Ndërkaq, Sky News ka cituar ministrin e Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, të ketë paralajmëruar pjesëtarët e delegacionit ukrainas, që gjatë takimit me palën ruse të mos hanë apo pinë.
“I kam këshilluar që kushdo që shkon në bisedime me Federatën Ruse të mos ha dhe pi asgjë, dhe është e preferueshme që të shmangin edhe prekjen e sipërfaqeve”, është cituar të ketë thënë Kuleba./rel