Mediat në veri kanë raportuar se është vënë logo e një kompanie kosovare në njërën prej pompave të mbyllura të “NIS”. Kompania që ka vendosur logon sipas këtyre raportimeve është “Exfis”. E njëjta kompani ishte financuese e partisë në pushtet, VV-së. Logoja është vendosur ende pa u mbyllur tenderi.
Agjencia Kosovare e Privatizimit sot ka hapur shpalljen publike për qiradhënien e 5 pompave të derivateve pronë e NSH Ina dhe NSH Jugopetrol të cilat ndodhen në Mitrovicën e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.
Në konkursin e hapur nga Agjencia e Privatizimit thuhet se ofertat për pompat e karburanteve në veri të Kosovës do të hapen më 9 gusht, nga ora 10 deri në ora 12:00.
Por, pikërisht sot sipas raportimeve tashmë një kompani ka vendosur logon e vetë në njërin nga pompat.
Siç raporton “Kossev”, një tabelë me mbishkrimin e kompanisë “Exfis” tashmë ishte vendosur gjerësisht në pompën e benzinës NIS në pjesën veriore të Mitrovicës.
“Është një kompani nga Prishtina, e cila është e regjistruar si kompani me përgjegjësi të kufizuar dhe ka një zinxhir të pompave të benzinës në mbarë Kosovën. Edhe dërrasa u fsheh me fletë të bardhë jo shumë kohë më vonë”.
Kompania që po raportohet se ka vendosur mbishkrimin ishte financuese e LVV-së.
Në vitin 2000, kur kjo parti kishte deklaruar donacionet që e merr, ku bënte pjesë edhe kjo kompani derivatesh.
Madje kjo kompani kishte dhënë vlerën më të madhe të mallrave si donacion me vlerë prej 9 mijë e 534 euro. /Insajderi.org/