Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, bëri të ditur gjatë një interviste për një medium serb se shefi i tij, Albin Kurti, ia kishte potencuar se dhënia e 24 hektarëve të Manastirit të Deçanit po bëhet për hatër të tij. Këtë ia kishte thënë privatisht Rashiqit. Megjithatë, qytetarëve të Republikës iu kishte thënë se po i jepte 24 hektarë me qëllim që të plotësonte njërin nga parakushtet për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Megjithatë, as me këtë sakrificë s’ia doli, meqë parakushti tjetër ishte dorëzimi i draft-statutit për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.
Gazeta Insajderi
Në një mbledhje të Qeverisë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte dalë pa paralajmërim duke kundërshtuar si parakusht dorëzimin e draft-statutit të “Zajednicës” në mënyrë që Kosova të sigurojë një vend në Këshillin e Evropës. Megjithatë, sakrificën e kishte bërë tjetërkund. Kishte vendosur që t’i japë 26 hektarë tokë për Manastirin e Deçanit. Ai thoshte se përkundër që s’pajtohet me zbatimin e Manastirit të Deçanit, do ta zbatojë me qëllim që Kosova të anëtarësohet në institucionin evropian për të drejtat e njeriut.
Kurti thoshte se përfaqësues të shteteve të QUINT’it dhe akterë të rëndësishëm politik e kushtëzuan anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës me zbatimin e këtij vendimi.
“U bindëm që duhet të zgjedhim njërin opsion, nuk ka një zgjedhje të tretë. Si kryeministër i Republikës së Kosovës nuk na pëlqen ky vendim i çuditshëm i padrejtë dhe ka edhe procese të tjera gjyqësore pezull për këtë çështje. Ne si qeveri nuk kemi më mjete legale për ta anuluar vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, deklaronte Kurti.
“Nuk do ta ndryshoj qëndrimin ndaj këtij vendimi të dëmshëm asnjëherë. Në anën tjetër nuk ka dyshim që anëtarësimi në Këshillin e Evropës do të ishte jo vetëm historik por edhe hap gjigant drejt njohjes së pesëshes”, deklaronte tutje shefi i Qeverisë.
Ndonëse e promovoi si vendim në të mirë të Kosovës, Kurti zgjedhte fjalët më të ashpra për ta përshkruar çështjen e 24 hektarëve tokë përreth Manastirit të Deçanit.
Ai në televizionin publik dilte dhe e quante vendimin e Kushtetueses për Manastirin e Deçanit si “vendim të regjimit të Millosheviqit”.
“Unë e kuptoj që Manastiri i Deçanit duhet të ketë një hapësirë, unë e kuptoj që kanë nevojë për qetësinë e ambientit, ndihmën e Qeverisë së RKS-së, mirëpo ne kemi rezervën e zakonshme për vendimet e regjimet e Millosheviqit, të cilat për bindjen time janë pranuar nga Gjykata Kushtetuese, e cila e ka trajtuar një lëndë pa kaluar në faza të zakonshme. Me ç’rast nuk duam t’i dominojmë, por në të njëjtën kohë besoj se duhet të hasim në mirëkuptimin e tyre, se vendimet e regjimit të Millosheviqit nuk mund të jetojnë në shekullin tonë”, deklaronte ai.
Ai thoshte se me zbatimin e vendimit, Kosova do të kthehej mbrapa.
“Ne nuk mund të kthehemi as para vitit 1999, e as para 2008 e 2012, kur është hequr mbikëqyrja e pavarësisë së Kosovës. Këto janë gjëra të cilat kanë ndodhur në të kaluarën, jemi këtu ku jemi dhe çfarëdo përpjekje për t’u kthyer në të kaluarën unë besoj që nuk mund të ketë të ardhme”.
Krerët e misioneve të vendeve të QUINT, më shumë se dhjetëra herë i kishin kërkuar qeverisë që ta zbatojë një vendim të Gjykatës Kushtetuese për t’i kaluar në pronësi Manastirit të Deçanit rreth 24 hektarë tokë.
Sidoqoftë, një version ndryshe ndaj qytetarëve ia ka dhënë ministrit të tij nga komuniteti serb, Nenad Rashiq. Ky i fundit në një intervistë për mediumin lokal serb, Radio Gorazhdevcin, shpjegoi se si Kurti e kishte bërë, siç tha, për shkak të tij, transferimin e 24 hektarëve tokë në emër të Manastirit të Deçanit.
“Do ta them, ndoshta edhe pa modesti, por kjo ndodhi falë këmbënguljes sime të vazhdueshme. Me vite shpjegoja pse kjo është e rëndësishme. Në fund kryeministri më thirri para mbledhjes së Qeverisë dhe më tha: ‘Kam menduar shumë për këtë. Do ta bëjmë, por ta dish – për shkakun tënd’”, tha Rashiq, siç transmeton Kossev.
Ai shtoi se, edhe pse kjo ishte një detyrim i vjetër gjyqësor që askush më parë s’e kishte zbatuar, fakti që këtë e bëri Albin Kurti me nxitjen e tij ka peshë të veçantë: “Ishte një gjë e madhe që nuk është e natyrës materiale, por diçka shumë më e rëndësishme. Mendoj se kjo duhet vlerësuar”, deklaroi ai. /Insajderi.org/