Katër zyrtarët e suspenduar pas zhdukjes së mostrave nga laboratori i IML’së në rastin Dehari, janë rikthyer punës. Por ky vendim nuk i ka përlyer ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Nga kjo ministri i thanë Insajderit se nuk janë kompetentë për kthimin apo mos kthimin e tyre në punë. Shefi i kabinetit të Ministrisë, Genc Nimani deklaroi se nuk pajtohen me këtë vendim.
“Pavarësisht ndjeshmërisë së rastit, si Ministri, nuk kemi asnjë kompetencë për kthimin apo mos kthimin e tyre në vendin e punës, pavarësisht që ne nuk pajtohemi me vendimin e tyre”, tha ai për Insajderin.
Sipas tij, vendimin për kthimin e tyre në punë është marr nga formimi dy komisioneve: komisioni disiplinor dhe komisioni për ankesa.
“Siç jeni në dijeni, komisioni disiplinor ka suspenduar zyrtarët në fjalë mirëpo të njëjtit janë kthyer nga komisioni i ankesave” – thuhet në përgjigjen e Genc Nimonit.
Tutje, në përgjigje Ministria thekson se legjislacioni në fuqi nuk i jep kompetencë ministres apo kabinetit lidhur me rastet e tilla.
“Të dy komisionet kanë pavarësi në vendimarrje. Siç jeni në dijeni, në rastin e zhdukjes së mostrave në laboratorin e toksikologjisë, Ministrja Haxhiu, ka njoftuar prokurorin dhe ka kërkuar nga drejtori i IML që konform ligjit dhe përgjegjësisë për të ndërmarrë veprime në lidhje me rastin” – thuhet tutje në përgjigjen e Ministrisë që drejtohet nga Albulena Haxhiu.
Zyrtarët e kthyer në pune janë:
Nardi Sheqergjiu, toksikolog mjekoligjor në Institutin për Mjekësi Ligjore,
Flutura Goga, udhëheqëse e laboratorit të toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore,
Anila Lakna, teknike e laboratorit të toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore, dhe
Ilirjana Shala, kimiste në Institutin për Mjekësi Ligjore.