Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi ka reaguar pas ngjarjes së rëndë që ndodhi në shtëpinë e të moshuarve në Pejë.
Përmes një postimi në Facebook, ai tha se dhuna ndaj një gruaje të moshuar nga personeli që do të duhej të kujdesej për të, tregon problemet e thella që ka shoqëria jonë.
Sipas tij, për më shumë, dhembja është edhe më e madhe kur bëhet fjalë për keqtrajtimin e një nëne të dëshmorit të lirisë.
“Por, fatkeqësisht, këtu vihet në pah edhe paaftësia institucionale për të monitoruar institucionet e kujdesit për të moshuarit në mbarëvajtjen e punës”, shkroi Krasniqi.
“Krahas vënies para përgjegjësisë për stafin e papërgjegjshëm që lënduan një zonjë të moshuar, institucionet përgjegjëse e kanë për obligim që të sigurojnë ambient të sigurt për të moshuarit që kanë nevojë për shërbime ndaj tyre në institucionet e tilla. Drejtësia duhet të veprojë fuqishëm sot, që nesër rastet e tilla mos të përsëriten”, ka shkruar Krasniqi.