×
Hulumtime/Analiza / Analiza

Rasti që tronditi Republikën

Insajderi
12 September 2022 - 14:29
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

Mijëra qytetarë protestuan me 31 gusht për mbrojtjen e grave. I bëri bashkë rasti që e bëri pothuajse këdo në Republikën e Kosovës që të flas – rasti i vajzës 11 vjeçare që dyshohet që së paku në dy raste është keqpërdorur seksualisht nga më shumë se sa një person.

Visar Duriqi/Donjeta Islami

Për këtë rast folën nga njeriu më i pushtetshëm në vend, Kryeministri Albin Kurti e deri tek zyrtarët e sistemit të drejtësisë, që në emër të këtij rasti besojnë që padrejtësisht u sulmuan nga Kryeministri.

Më shumë se sa kushdo tjetër në këtë rast, jo vetëm nga Qeveria, por edhe nga shoqëria civile dhe grupe të tjera kritikat janë drejtuar kundër organeve të sistemit të drejtësisë, Prokurorisë e Gjykatës. Statistikat edhe i nxjerrin keq ata. Rastet që ndërlidhen me gjykimin e dënimin e të akuzuarve për sulme seksuale shpesh duket se i japin të drejtë kritikave kundër tyre.

Këshilli Gjyqësor tentoi të sqaronte diçka, por as këtë nuk ia mundësuan aktivistë të shoqërisë civile.

Përtej statistikave, që dikush ua përplas për fytyrë si dështim, e ata mundohen që të i interpretojnë ndryshe, raste të veçanta e nxjerrin sistemin keq para obligimit të tyre ligjor: mbrojtjen e qytetarëve viktima të dhunës.

Ekskluzivisht për herë të parë në këtë episod, InDoks sjell detaje tronditëse të një rasti të dhunës seksual me një të mitur, i cili u zvarrit nëpër gjykata që nga viti 2014 vetëm për tu shpall i akuzuari bash këto ditë: i pafajshëm.

InDoks ka marrë një konfirmim nga Inspektorati Policor i Kosovës që pos hetimeve që po i kryen Policia, Prokuroria e organet tjera, edhe ky institucion ka nisur hetime paraprake për të parë nëse kishte oficerë policisë të përfshirë në rast. Së paku në rastin e muajit qershor, ku vajza e njëjtë 11 vjeçare kishte hapur një rast e askush nuk u arrestua.

Deri tash duhet se ish-drejtori i Policisë, Samendim Mehmeti dha dorëheqje si akt moral pas arrestimeve për këtë rast. Në vend të tij, ushtrues detyre është vendosur zëvendësi i tij, Fehmi Hoti.

Edhe Ali Gashi, Drejtor i Drejtoratit për Trajtimit e të Burgosurve dhe të Miturve, ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë pas rastit të dhunimit të 11-vjeçares.Pos dorëheqjeve brenda Policisë së Kosovës pati edhe ndryshime pa dorëheqje. Kështu nga posti është larguar drejtori i Policisë Rajonale në Prishtinë, Fahredin Verbovci dhe shefi i operativës që ka vepruar po ashtu në regjion, Shkëlzen Xhafa.

Fahredin Verbovci tashmë është zëvendësuar nga nënkoloneli Fehmi Xhata. Kurse, në vend të Shkëlzen Xhafës, është emëruar Bekim Bislimin.

Bekim Bislimin ka qenë drejtor i stacionit policor në Kodrën e Trimave, lagje e Prishtinës, dhe sipas burimeve të InDoks, rasti i qershorit ku 11 vjeçarja dyshohet se u keqpërdor seksualisht nga 6 persona, fillimisht ishte iniciuar po në këtë stacion.

Edhe pse të vënë në thumb të kritikave, asnjë prokuror nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, nën mandatin e së cilës bie hetimi i rastit të 11 vjeçares, nuk doli që të fliste. Në vend të tyre, ata vendosen që para mediave ta vendosnin zëdhënësen, diçka e rrallë në një rast kaq publik. Nuk doli as Kryeprokurori Kujtim Munishi.

“Me datë 22 qershor siç e thashë pas intervistimit të të dëmtuarës e njëjta është dërguar në strehimore për ti marrë të gjitha shërbimet e nevojshme.  Me datë 23 qershor të këtij prokuroria, prokurori i çështjes ka paraqitur urdhëresa për ekzaminimin e AND-së në trupin e viktimës dhe edhe në këtë urdhëresë ka pasuar kërkesa që është e natyrës urgjente. Me qëllim të nxjerrjes së të gjitha të dhënave të dyshuarave të mundshëm që i kishim në qershorin e këtij viti hetuesit e kësaj drejtorie kanë paraqitur kërkesë në prokurori për sekuestrimin dhe ekzaminimin e telefonit të viktimës. Pra me kërkesë të prokurorit të shtetit është urdhëruar që telefoni i viktimës të dërgohet në ekzaminim. Në fund të kësaj kërkese është kërkuar që të trajtohet në mënyrë urgjente”, tha Laureta Ulaj – Zëdhënëse në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.  

Kjo zyrtare e Prokurorisë, që nuk është prokurore, foli për punën e këtyre të fundit. Për dikë, edhe mos-punën, duke pasur parasysh që rasti i qershorit kishte përfunduar atëherë pa asnjë të arrestuar.

“Me datën 27 qershor të vitit 2022 është bërë kërkesë për tërheqjen e kamerave të moteleve, ku supozohet se ka mundur të shkojë viktima. Me datën 7 korrik, prokurori i rastit e ka dëgjuar të dëmtuarën në prezentë të punëtores sociale dhe në prezencë të psikologes. E dëmtuara është dërguar në strehimore dhe aty ka qëndruar rreth 1 muaj. Ndërsa, me datë 21 korrik të këtij viti me kërkesë të familjes, viktima është liruar nga strehimorja. Dhe të njëjtit kanë deklaruar se do të marrin përgjegjësi mbi vajzën e tyre”

Një nga mbështetësit e protestave për rastin e 11 vjeçares ka qenë edhe organizata Rrjeti i Grave, një grup organizatash që punojnë për avancimin e të drejtave të grave në vend. Besarta Brezinca nga kjo organizatë ka folur për InDoks. Në këtë intervistë të gjatë ajo tregon që jo veç rasti i 11 vjeçares, por edhe raste të tjera që ky rrjet ka monitoruar e nxjerrin keq punën e organeve të zbatimit të ligjit kur vije puna tek mbrojtja e të drejtave të grave.

“Pa dyshim që rasti i tillë ka trondit edhe RrGK-në, rastet e tilla edhe njëherë na dëshmojë dhe hapin sytë se si institucionet tonë po dështojnë t’i mbrojnë gratë dhe vajzat tona. Nuk ndjehen të sigurta në hapësira publike, ne e shohim që edhe këto hapësira nuk janë të sigurta për gratë prandaj ne shohim që gratë janë të rrezikuara në çdo moment qoftë edhe në shtëpitë e tyre, qoftë edhe jashtë shtëpive të tyre. Institucionet tona, dështojnë në mbrojtje të vajzave e grave, sipas policisë së Kosovës nga janari në korrik kemi pasur 41 raste të dhunimit, të raportume në Polici. Kurse në të njëjtën kohë nuk kemi asnjë vendim final. Se si janë trajtu këto raste, ose se sa dënime kanë marrë përveç me gjobë apo me kusht, në asnjë moment nuk ka pasur dënime të tjera. Të cilat korrespondojnë me ligjet që ne kemi në fuqi, Kodin Penal dhe Ligjet e tjera”, tha Besarta Breznica nga RrGK.  

Ajo nuk kursehet që ti quaj institucionet e Republikës edhe si institucione patriarkale. Që vazhdojnë ti përkrahin burrat, edhe kur janë dhunues. Dhe, përmend raste.

“Kosova fatkeqësisht vazhdon me pas institucione patriarkale dhe tradicionale, policia, prokuroria dhe gjyqtarët kanë mendësi tradicionale, patriarkale të cilët fuqizojnë burrat, dhunuesit për në të njëjtën kohë I dekurajojnë gratë e viktimat që të vazhdojnë tutje në proceset gjyqësore. Mjafton ne të shohim, statistika nga policia, mjafton të lexojmë se si prokurorët tonë i cilësojnë veprat penale, të cilat ndodhin në terren dhe mjafton që ne të shohim vendimet që gjyqtarët i japin. Kjo neve na tregon mjaftueshëm se çfarë mendësia kanë institucionet dhe sa shqetësuese i shohin këto problematike dhe si e trajtojnë ligjin për të cilin janë betu se do ta zbatojnë. Institucionet tona vazhdojnë të përkrahin burrat qoftë dhunues ose jo dhunues, institucionet tona vazhdojnë të mos e zbatojnë ligjin, vazhdojnë të mos mbajë përgjegjësi për shkeljet e tyre që ato kanë”.

Gjatë kësaj bisede Breznica e përmendi një rast konkret se si një burrë kishte tentuar të ia ndryshonte bashkëshortes së tij deklaratën.

Duda Balje drejton me komisionin për të drejta të njeriut. Jo rrallë ka qenë në vorbullin e debateve të nxehta, si për rastin e shamisë në shkollat publike, ndryshimin e kodit civil ku pritet që të lejohen martesat mes gjinisë së njëjtë e deri te momentet ku ajo vet është bërë temë debati. Ndonjëherë edhe viktimë e qasjes sekiste për mënyrën se si ajo vishet.

Në këtë intervistë për InDoks, ajo ka folur për rastin e 11 vjeçares dhe hapat që pritet të marrë ky komision që ajo e drejton.

“Unë fillojë prej familjes, familja duhet me bisedu me fëmijët, duhet me punu me të, edhe me vajzën edhe djalin duhet me fol. Une di që jeta moderne nuk i jep shumë kohë por në fakt duhet me caktu prioritetet, dmth fëmijët janë prioritet në jetë për secilën familje. Edhe unë punojë shumë, të gjithë por duhet jeta e një gruaje moderne me u koncentru tek kontakti me fëmijën bashkë me burrin, kjo është hallka e para, pastaj shumë jemi duke e përmend policinë kohëve të fundit, unë nuk kam parë defekt në polici, ata për 24 orë krejt dhunuesit kanë qenë në vendin kur duhet me qenë. Tash jemi duke e shikuar procesin gjyqësor në ditët e fundit ne kemi parë edhe disa reagime prej anës së kryeministrit dhe ministres për drejtësi kush ka faj, tek ka faj, unë po du me besu në sistemin gjyqësor të Kosovës, po du me besu që ata do të marrin një vendim të duhur, një vendim i cili do të jetë si mesazh për dikë tjetër, që nesër pasnesër janë duke planifikuar këtë. A është çështje e pedofilisë, trafikimit tash ne çdo ditë po marrim informata për këtë vajzën 11 vjeçare, por në fund të fundit është një fëmijë 11 vjeçare dhe këto nuk lënë hapësira për me komuniku shumë”, tha Balje në InDoks.

A do të kërkojë komisioni që ajo drejton që të marrë në përgjegjësi dike nga institucionet e përfshira në rastin e 11 vjeçares?

“Po ne jemi duke prit për disa ditë me fillu me punën, për sesionin vjeshtor po menjëherë po, do të bisedojmë me anëtarët e komisionit dhe i caktojmë personat të cilët i thirrmi. Ne nuk jemi ekzekutivi ne jemi legjislativi nëse ka defekt në ligj, ne e ndryshojmë bashkë me ministrinë për Drejtësinë, ne mundemi veç me fol dhe me i prek ligjet, nëse ka defekt në ligj. Do të bisedojmë sepse edhe ne do të kërkojmë përgjegjësi për aq sa kemi kompetencë. Por prapë se prapë qeveria ministria, institucionet e drejtësisë topi është tek ata tash”, sqaroi ajo.

Në protestat për rastin e 11 vjeçares një kërkesë shtesë kishte dalë. Kërkohej që të legalizohet sprej, një mjet mbrojtës që është i legalizuar në disa vende të botës, por që në Kosovë ende konsiderohet armë. Deputetja Balje thotë se duhet parë edhe ana tjetër e këtij veprimi, ana ku krijohet ndjena e pasigurisë dhe e përgjegjësisë edhe më të madhe për gratë.

“Tash jemi duke folur shumë për këtë dhe në fakt unë personalisht kurgjo kundër nuk kam, ende skam fol me komisionin për të drejtat e njeriut, por unë si deputete si qytetare e Kosovës nuk kam kurgjo kundër por këtu duhet me mëndu, çfarë mesazhi jemi duke dhënë nëse p.sh unë them okej një vajzë qe ke sprejin, ne e kemi legalizuar sprejin, mesazhi tek vajza është; tash duhet me mbrojtë vetën, nëse unë e legalizojë sprejin, unë i them qe merre, blejë sprejin dhe ti tash duhet me mbrojtë vetën. Këtu është një prej shenjave se ne ndoshta si shtet jemi pak të dobët si sitëm se ne nuk mundemi me mbrojtë, e ti tash urdhëro sprejin mbroje vetën dhe nesër nëse ndodh diçka, dikush do të pyes vajzën ku e ki sprejn, pse nuk e ke përdorë”, tha deputetja e Kuvendit të Kosovës.

Rasti i 11 vjeçares i bëri që njerëzit të reagonin, pos me protesta edhe në mënyrë më të ndjeshme edhe në rrjetet sociale. Me ngulm iu kërkohej mediave që të i publikonin emrat e të dyshuarve. Kjo edhe u bë. Tashmë janë publik emrat e 11 personave, sa deri tash janë arrestuar në lidhje me këtë rast. Por, a ishte kjo krejt e drejt?

 InDoks ka folur me avokaten e njërit nga të arrestuarit, edhe ai i mitur.

“Tani, kjo çështja e zbulimit të të dhënave personale, madje unë me sa jam në dijeni disa portale i kanë bërë publike emrat dhe fotografitë e të miturve të përfshirë në procedurë. Kodi për drejtësisë për të mitur përcakton në mënyrë taksative në Nenin 47, se çdo e dhënë që qon në drejtim të identifikimit të personave të mitur është e ndaluar për arsye se në parim çdo procedurë që zhvillohet ndaj kryerëse të mitur është jo publike, përjashtimisht gjykata mund të lejojë që procedura të incizohet me video qoftë audio-incizim dhe mund të lejojë që një pjesë të vendimit të shpallet publikisht mirëpo në asnjë mënyrë kur edhe kjo lejohet nga gjykata një pjesë e vendimit të shpallet publikisht apo procedura të incizohet nuk mund të shfrytëzohet të dhënat personale për identifikimin e personave të mitur, në këtë rast kryesit e mitur”, tha avokatja Kelmendi.

Gazeta Insajderi ka raportuar se një i dyshuar në këtë rast u sulmua nga 20 të burgosur, dhe shpëtoi vetëm falë ndërhyrjes së rojeve të burgut, derisa një tjetër i dyshuar ishte dërguar për trajtim mjekësor. Avokatja Kelmendi përmend se edhe i dyshuari që ajo e mbron po stigmatizohet nga punonjësit e shtetit.

“Unë edhe e kam thënë edhe në një emision tjetër, që unë kam qenë me vizitu klientin tim në qendrën e paraburgimit më ka t hënë që është duke u stigmatizuar nga punëtoret sociale dhe psikologet e asaj qendre, taksitivisht mi ka thënë shprehjet se çfarë ata kanë thënë, e kam udhëzuar klienti tim që ai për çdo stigmatizim ose fyerje që i është bërë atij lidhur me rastin sepse sa ka të drejta e mituri si kryerës ka të drejta edhe viktima në këtë rast”, u shpreh ajo.

Derisa kjo avokate flet për mundësinë që edhe të dyshuarit në rastin e 11-vjecares po i shkilen të drejtat, fillimisht duke iu publikuar emri e fotografia, e pastaj stigmatizimi nga punonjës të burgut, një avokat tjetër ka zbuluar për Insajderin detaje nga një rast tjetër, e ku viktimë është një e mitur.

Detajet të rastit në hollësi për Gazeta Insajderi i ka dhënë Fitim Gashi, Avokat i angazhuar nga Rrjeti i Grave të Kosovës.

“Kemi të bëjmë me një rast për të miture është rast i keqpërdorimit seksual për personat nën 16 vjet që ka ndodhur këtu në Prishtinë nga njerku i fëmijës. Rasti ka filluar të ndodhë nga viti 2005 dhe ka zgjatë diku deri në vitin 2011, rasti është paraqitë në polici në vitin 2012, pastaj nga viti 2012 deri në vitin 2014 ka vazhduar aktakuza, ku është ngritur në vitin 2014 dhe nga viti 2014 e deri para tri dite e kemi pranuar aktgjykimin nga Gjykata Themelore në Prishtinë ku i akuzuari lirohet nga akuza. Jemi shqetësuar të themi të drejtën se unë e kam mbrojte kuadër të RrGK-së e kam përfaqësuar palën e dëmtuar, pra palën e mitur dhe kujdestaren e saj mirëpo ajo çka na ka dëshpëruar më së shumti ka qenë sjellja fillimisht nga ana e policisë e pastaj e prokurorisë dhe në fund e gjykatës”, sqaroi Gashi.

Ky avokat ka ndarë me InDoks këtë histori, e tregon sagën që kanë pasur për ta shtyrë rastin tutje pasi që nisen telashet qysh në Polici. Policinë e akuzon publikisht për tendencë për të fshehur prova.

 “Kur po them e policisë është se ka tentuar policia që me çdo kusht edhe me i fsheh prova, duke i asgjësuar p.sh telefonin e palës së dëmtuar e cila e ka paraqitur si provë në polici, në fillim kur edhe e ka paraqitë rastin pastaj prokuroria ka vazhduar me kualifikim të gabuar të veprës penale pasi siç e përmenda më lartë kemi të bëjmë me njerk, njerku pra dyshohet se e  ka kryer veprën ndërkaq kualifikimi ka qenë me një paragraf që ka qenë rrethanë tejet lehtësuese për të akuzuarin dhe jo në paragrafin që në veprën penale e ka bërë si vepër të kualifikuar kur për të cilën është parapa minimumi 15 vite burg”.

Ky avokat ka treguar për InDoks për këtë rast, ku viktimë ishte e një e mitur, që dyshohet se u abuzua brenda shtëpisë, e që pasi që e ka qenë direkt i përfshirë në rast, për dështimin për të sjel drejtësi fajin madje ia le edhe Prokurorit të rasti, Edhe gjykatësit të rastit. Të Gjithëve.

 “Me një gabim të tillë ka vazhduar prokuroria përkundër kërkesave të shumta nga ana ime si përfaqësues i palë së dëmtuar që kjo të ndryshohet, kualifikimi i aktakuzës mirëpo ka hasur në vesh të shurdhër nga prokurori i çështjes. Pastaj gjatë gjykimit ne e kemi përfaqësuar palën e dëmtuar  në të gjitha seancat nga koha kur ne e kemi marrë rastin për ta përfaqësuar dhe kemi qenë të sigurte që ka për të pasur një aktgjykim dënues për të akuzuarin për shkak se ka pasur prova materiale në masë goxha të madhe, po ashtu ka pasur tendenca për nxjerrjen e provave tjera të cilat kishin mujt shumë lehtë me vërtetu aktakuzën, mirëpo fatkeqësisht po duhet me thënë gjyqtari i çështjes ka refuzuar nxjerrjen e provave, p.sh nxjerrjen e ekspertizës mjeko-ligjore përkundër propozimit kërkesë së prokurorisë, po ashtu propozimit tim si përfaqësues i së dëmtuarës për me nxjerr një ekspertizë mjeko-ligjore për shkak se posedonim raporte mjekësore nga koha kur është kryer vepra dhe gjyqtari pa një arsye konkrete i refuzon edhe kërkesën e prokurorisë edhe propozimin të përfaqësuesit dhe si përfundim i kësaj nuk e nxjerr atë provën që kishte mujt me qenë prova kryesore. Përtej kësaj kemi pasur edhe prova tjera materiale, po ashtu kemi pasur prova që janë siguruar nga deklaratat e dëshmitarëve dhe përsëri nuk kanë qenë të mjaftueshme për gjykatën e cila me aktgjykimin e datës që unë e kam pranuar, në ditën e hëne të kësaj jave e liron të akuzuarin nga kjo pikë e aktakuzë”.

Ky rast, të cilin në publik për herë të parë e sjell InDoks dyshohet se ndodhi ne vitin 2012. Pra, një dekadë më parë dyshohet se një e mitur u abuzua nga njerku. Prokurorisë iu deshën edhe dy vite për të ngritur një aktakuzë. E, gjykatës edhe tetë vite për të ardhur në një përfundim, e që duket se nuk solli drejtësi për viktimën, as pas një dekade pritje nga shteti për drejtësi.

“Po ashtu në aktakuzë ka qenë edhe një pikë tjetër ku i akuzuari është akuzuar edhe për veprën penale mos përkrahje e fëmijëve, që kanë qenë nga ana e dhunës në familje mirëpo kjo vepër për shkak të kohëzgjatjes tejet të madhe është arritur edhe parashkrimi. Në këtë rast e kemi parë një neglizhencë të jashtëzakonshme prej anës së gjykatës ngase aktakuza është ngritë në vitin 2014 dhe deri tani në vitin 2022 në muajin shtator e kemi marrë edhe vendimin e kësaj aktakuze”.

Deri tash çka dihet është se një e mitur, e moshës 11 vjeçare ishte abuzuar seksualisht. Në rastin e fundit dyshohet se në grup, nga 5 të dyshuar që janë në paraburgim. Doli që ajo është abuzuar dy muaj më herët edhe nga 6 të tjerë të dyshuar, që po ashtu janë në paraburgim.

Ka pasur dorëheqje të njerëzve në institucionet e zbatimit të ligjit. Ka pasur edhe shkarkime e transfere. Kanë nisur hetime nga Inspektorati Policor edhe në vet Policinë e Kosovës.

Për këtë punë foli edhe njeriu më i pushtetshëm i vendit, Kryeministri Albin Kurti. Një analizë e më vonshme e Insajderit gjeti që ai me vetëdije kishte shpërndarë në publik statistika të pasakta.

Në tendencë për tu mbrojtur nga akuzat e Kryeministrit, Këshilli Gjyqësor tentoi që ta mbronte veten. Edhe kjo iu pamundësua nga aktivistë të shoqërisë civile. Ajo që nisi si një konferencë shtypi, e përfundoi me fishkëllima. Shumë pyetje rreth këtij rasti kanë mbetur pa përgjigje, por një gjë dihet: Ky nuk është rasti i vetëm. A e meritojnë shefat e sistemit të drejtësisë që të iu mbyllet goja me ‘filikaçë’ derisa të i detyrojnë prokurorët e gjykatësit të i marrin më seriozisht rastet e dhunës e sulmeve seksuale ndaj grave?

Ekskluzive | InDoks sjell rastin e të miturës që u dhunua nga njerku, një dekade pas gjykata e la të lirë

Ekskluzive: Dyshimet për dhunim – Në këtë stacion policor të Prishtinës u raportua për herë të parë rasti i 11 vjeçares

Publikimi i emrave dhe fotove, të dyshuarve të mitur për dhunimin e 11 vjeçares – reagon avokatja e njërit prej tyre

Avokatja zbulon për InDoks se si po ofendohet klienti i saj i mitur në burg, për shkak dyshimit për dhunimin e 11 vjeçares

Breznica për rastin e 11 vjeçares: Kosova fatkeqësisht po vazhdon me pas institucione që po i fuqizojnë dhunuesit

Balje për herë të parë, paralajmëron edhe një nismë ligjore e cila do t’i mbrojë më së shumti sipas saj gratë

Rasti i të miturës në Prishtinë, Balje me porosi për prindërit: Prioritet t’i keni fëmijët!

“Ku e ki sprejn pse se ke përdorë, urdhëro mbroje vetën” – Balje flet për anët negative të legalizimit të sprejit

/Gazeta Insajderi

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark