×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Rasti “Veteranët”, dëshmitari thotë se bukëpjekësit pranë shtabeve të UÇK-së janë konsideruar si veteranë luftëtarë

    Insajderi
    28 February 2024 - 19:11
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin e njohur si “Veteranët”, dëshmitari Milaim Limani, si anëtar i Shtabit të Zonës Operative të Karadakut, ka thënë se nëse një aplikues në detyrat dhe funksionet e tij ka paraqitur se ka qenë bukëpjekës, pranë shtabeve të UÇK-së e kanë konsideruar si veteran luftëtar.

    Në këtë rast, për keqpërdorim të detyrës zyrtare akuzohen ish-kryeministri Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

    Fillimisht, dëshmitari Milaim Limani, ka sqaruar se ishte anëtar i Shtabit të Zonës Operative të Karadakut, Brigada 172. Ai tha se për shkak se komandanti i Brigadës atëkohë kishte qenë në gjendje të keqe shëndetësore, ai kishte qenë përgjegjës në procesin e verifikimit.

    Limani tha se ata kishin marrë çdo aplikacion e kishin shqyrtuar dhe nga lista e parë tha se janë nxjerrë 157 veteranë luftëtarë.

    Sipas tij, ka pasur dy faza të verifikimit dhe shqyrtimit ankesave dhe në rastet kur nuk ka pasur dëshmi të bollshme apo nuk i kanë plotësuar kushtet si veteranë luftëtarë, i kanë klasifikuar si pjesëtarë.

    I pyetur nga prokurori special Valdet Gashi se nëse një aplikues në detyrat dhe funksionet e tij e ka paraqitur se ka qenë bukëpjekës, si e kanë klasifikuar, ai tha se nëse ka qenë bukëpjekës pranë shtabeve të UÇK-së, e kanë konsideruar si veteran luftëtar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Në këtë seancë përveç Limanit u dëgjuan edhe: Mehmet Ballazhi, Ilmi Ramusholli, Selami Neziri dhe Afrim Buzolli.

    Dëshmitari Mehmet Ballazhi, ka sqaruar se ka shërbyer në Brigadën 162 të zonës së Nerodimes, kurse me formimin e Brigadës 164 tha se ishte caktuar si zëvendëskomandant i Brigadës deri në përfundim të luftës.

    Ballazhi ka sqaruar procesin e verifikimit të veteranëve, ku tha se secili pjesëtar i luftës ka plotësuar formularët të cilët janë verifikuar sipas njësive që kanë qenë, e të cilat janë dorëzuar në qendër në Prishtinë.

    Ai tha se këto lista ishin nënshkruar nga ai në cilësi të zëvendësit, për arsye se komandanti i Brigadës kishte shkuar për arsye personale apo shëndetësore.

    Sipas tij, verifikimi i aplikacioneve ishte bërë në Qeveri, kurse përmbajtja e aplikacionit tha se ka qenë e njëjtë për të gjithë, ku janë kërkuar të dhënat personale, zona ku ka marrë pjesë, e të tjera.

    Dëshmitari Ballazhi tha se ata kanë verifikuar nënshkrimet e vartësve të tyre dhe nëse është plotësuar formulari ashtu siç është kërkuar.

    “Unë si zëvendëskomandant Brigade iu kam besuar vartësve të mi, për shkak se ushtarët kanë lëvizë, nuk kam mundur t’i njoh të gjithë ushtarët për shkak se ata kanë lëvizur, kam qenë në zona të ndryshme”, ka thënë ai.

    Dëshmitari ka pohuar se ka pasur aplikacione nga persona të cilët në detyrat dhe funksionet e tyre kanë shërbyer në logjistikë.

    Ai tha se ata ishin thirrur për të bërë verifikimin e pjesëmarrjes në luftë të pjesëtarëve që kanë aplikuar dhe jo për caktimin e statusit të aplikantëve.

    Dëshmitari Ballazhi tha se mban përgjegjësi për të gjitha nënshkrimet e tij dhe pohoi se në Brigadën e tij kishin qenë 3 persona të mitur.

    “Po ka pas, më duket që kanë qenë 3 persona, të moshës 12-13 por e di që kanë qenë në shkollë të mesme, 2 kanë qenë të Hanit të Elezit e një i Maqedonisë 15-16 vjeç afërsisht, i cili ka luajt rolin e furnizuesit nga Maqedonia me armë e me ushqime”, ka thënë dëshmitari Ballazhi.

    Më pas, seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit Ilmi Ramusholli, i cili ka sqaruar se vjen nga Brigada 161, ku tha se kanë qenë 1 mijë e 763 aplikues.

    Lidhur me procesin e verifikimit të aplikacioneve, ai ka deklaruar se ato ishin shpërndarë nga administrata nëpër shoqata, kurse verifikimi në zyrat e Qeverisë ishte bërë në bazë të udhëzimeve që janë dhënë nga administrata.

    Sipas Ramushollit, aplikacionet janë verifikuar nga komandanti i skuadrës, i brigadës dhe nga ai si komandat Brigade dhe se asnjë aplikacion nuk është pa të paktën 3 nënshkrime.

    Dëshmitari Ramusholli tha se në bazë të administratës, kanë qenë 14 lista me emra dhe ku nga 1 mijë e 763 aplukues, tha se janë nxjerrë 1 mijë e 97 veteranë, 107 invalidë, 63 dëshmorë, 170 pjesëtarë, 24 pjesëmarrës dhe 294 refuzime.

    Ai po ashtu ka sqaruar se aplikacioni ka përmbajtur të dhënat e përgjithshme të aplikuesit dhe përshkrimin se ku ka shërbyer, duke shtuar se si komandat Brigade në rastet kur aplikacioni nuk i ka pasur dy apo tre nënshkrime, ai nuk ka nënshkruar.

    Dëshmitari shtoi se në rastet kur nuk ka pasur nënshkrime, ata ia kanë kthyer aplikimin mbrapa sekretarisë.

    Pasi që dëshmitari ka mohuar se ka pasur në Brigadën e tij aplikues të mitur, është ballafaquar nga prokurori special Gashi me një aplikacion të një të mituri të moshës 15 vjeç.

    Lidhur me këtë, dëshmitari Ramusholli tha se nuk i kujtohet ky aplikacion, duke kontestuar edhe nënshkrimin e tij në të.

    “Nuk më kujtohet ky aplikacion por është një çështje që duhet me kuptu edhe prokurori, se shumica e pjesëtarëve të UÇK-së kanë qenë në moshë rinore dhe ky rast s’po më kujtohet, por mua po më çuditë që aty kenë edhe vetëm 2 nënshkrime, po e kontestoj dhe as personin s’po e njoh”, tha ai.

    Ramusholli ka sqaruar se pjesëtarë kanë qenë ata të cilët në mënyrë aktive e kanë mbështetur aktivitetin e tyre nga fillimi deri në përfundim, kurse tha se personat që kanë kryer aktivitete në luftë si kuzhinierë apo shërbime tjera, janë cilësuar si veteranë.

    Tutje, seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit Selami Neziri, i cili fillimisht ka sqaruar ai ka qenë në Brigadën 173, kurse tha se për procesin e verifikimit të aplikacioneve ishte njoftuar nga përfaqësuesi i zonës së Karadakut, Ahmet Daku, pasi që kishte shprehur vullnetin e tij për të ndihmuar.

    Ai tha se takimi i Komisionit ishte organizuar në Qeveri dhe aty kishte qenë bashkë me vartësit e tij, komandat e njësive, të kompanive, togjeve dhe batalioneve.

    Sipas tij, nga rreth 400 aplikacione sa kanë qenë, të gjitha i kishte lexuar dhe kishte bërë ndarjen në veteranë luftëtarë, pjesëmarrës, pjesëtarë dhe atyre që nuk i kishte njohur askush aty.

    “Do të thotë që i kemi hudhë si të pabaza sepse askush nga vartësit e mi nuk ka marrë përgjegjësi se a i ka taku ndonjë njësie”, ka thënë dëshmitari Neziri.

    Ai tha se këto aplikacione ishin nënshkruar nga komandat, njësiti, komandant togu dhe komandanti i kompanisë apo batalionit, duke shtuar se aty ku kanë qenë tre nënshkrime ka nënshkruar edhe ai.

    Neziri sqaroi se aplikacioni përmbante të dhënat personale, detyrat dhe funksionet e aplikuesit.

    Ai ka pohuar se ka pasur aplikues të mitur për të cilët tha se kanë kryer detyrat njëjtë sikurse të gjithë luftëtarët e tjerë që kanë qenë më në moshë.

    Kuese, dëshmitari Afrim Buzolli ka sqaruar se ai ka operuar në zonën e Shalës, në Brigadën 141 dhe se për herë të parë në zonë të luftës ishte paraqitur në korrik të vitit ’98, por që nuk e kishin pranuar për shkak se ka qenë 16 vjeçar.

    Ai tha se ishte paraqitur çdo dy javë në batalionin 4 derisa kishte mbushur 17 vjet e duke i gënjyer se ka 19 vjet për të marrë pjesë në UÇK.

    “Jam paraqit çdo dy javë në batalionin 4, derisa i kam mush 17 vjet edhe kam rrejt i kam thanë i kom ba 19 vjet, për të më marrë në radhët e UÇK-së”, tha ai.

    Busolli theksoi se ka qëndruar deri në përfundim të luftës si ushtar i armatosur me automatik.

    “Energjia jem është kanë për me mujt me ba diçka për vendin tem dhe nuk më kanë pranu se isha i mitur dhe jam tut qe s’po më marrin”, shtoi aii.

    Dëshmitari tha se kur kishte dalë lista me veteranë të rrejshëm, ishte prekur ai dhe familja e tij pasi që ai ka shërbyer në UÇK.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark