×
  • Lajme
  • Lajme

    Ratkoceri prezanton e planin e AAK-së për ekonominë: Do ta ndihmojmë secilin qytetarë me nga 100 euro

    Insajderi
    04 February 2021 - 23:05
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ermira Ratkoceri nga AAK-ja ka thënë se kjo parti ka një program të detajuar që e prek secilin qytetar.

    Ajo, ka dhënë më shumë detaje për masat që i kanë paraparë në fushën e ekonomisë në planprogramin e tyre.

    “Programi i AAK-së është i ndarë në dy ndërhyrje që kemi paraparë: njëri është për rimëkëmbje apo rindërtim ekonomik dhe tjetri për zhvillim”.

    “Në pjesën e rimëkëmbjes ekonomike parashikojmë infuzion për ekonominë në situatën e krizës së ekonomisë dhe pandemisë në të cilën jemi. Këtu parashikojmë një fond prej 1 miliard eurosh. Ky fond do të fokusohet në tri drejtime: ndihmë ndaj bizneseve, qytetarëve dhe lehtësira fiskale. Bizneset në kohën e pandemisë kanë pësuar shumë nga kjo krizë dhe duhet ndihmë e menjëhershme. Me këtë fond parashikojmë t’i ndihmojmë bizneset duke ua mundësuar që të marrin kredi të buta ku tavani i kamatës të jetë jo më shumë se 3.5 % dhe kohëzgjatja e kredive të jetë 5 deri 10 vite pas grejs periudhës (2 vjet). Grejs periudhën dhe interesin do ta marrim nga Fondi i Rindërtimit Ekonomik”.

    “Ne parashikojmë të ndihmojmë sidomos ndërmarrjet prodhuese, ato të eksportit, por gjithashtu kemi parasysh edhe sektorët që janë të prekur nga kjo situatë pandemike si gastronomia duke ua mundësuar ta bëjnë riprogramimin e kredive. Koston e riprogramimit e merr pikërisht Fondi i Rindërtimit Ekonomik”, tha Ratkoceri në Klan Kosova.

    Kandidatja për deputete nga kjo parti ka treguar se AAK-ja ka paraparë që t’iu dalë në ndihmë qytetarëve, derisa ka ripërsëritur një propozim të kahmotshëm të tyre që secili qytetar t’i marrë nga 100 euro në kohë pandemie.

    “Ne parashikojmë ndihmë për qytetarët. Ne parashikojmë që secila masë të shkojë deri në fund. Kemi paraparë që të ndihmojmë secilin qytetar me nga 100 euro, ta bëjmë subvencionim prej 80 % të pagës për secilin person që ka humbur punën për tre muaj, si dhe ta bëjmë subvencionimin e pagës për çdo punëtor të kthyer në punë”.

    “Ne kemi menduar një masë edhe për gratë. Kemi paraparë subvencionimin me 150 euro për çdo grua të punësuar për tre muajt e parë në një kontratë jo më pak se një vit. Këtu parashikojmë edhe lehtësira fiskale për çdo biznes. Parashikojmë që pas ardhjes në qeveri në vitin e parë mbledhja e TVSH-së të bëhet pas shitjes që të mbrojë likuiditetin e bizneseve dhe që tatimet e vitit 2020 të shtyhen për fillim të vitit 2022”, theksoi ajo. Insajderi.org

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark