Cristiano Ronaldo është përballur me një situatë të pakëndshme në fitoren e Al Nassr me rezultat 1-0 ndaj Al Ettifaq në kuadër të 1/8 së finales në King Cup.
Skuadra e portugezit kaloi në çerekfinale të turneut falë golit të Sadio Manes që u shënua në minutën e 107-të të vazhdimeve.
Por, derisa ishte duke u zhvilluar ndeshja, tifozët e Al Ettifaq filluan ta ngacmonin Ronaldon, duke thirrur emrin e Messit.
“Messi, Messi, Messi”, ishin thirrjet provokuese të tifozëve kundërshtarë në drejtim të portugezit, duke ditur se mbrëmë argjentinasi fitoi Topin e tetë të Artë në karrierë.
Leo tani ka tre çmime më shumë se Ronaldo dhe epoka e tyre për këtë çmim ka përfunduar mbrëmë, apo më mirë të themi se për portugezin kishte përfunduar në fund të vitit të kaluar kur u largua nga Manchester United dhe u eliminua nga Kampionati Botëror.
CR7 bënte me dorë që ata të heshtnin dhe të mbanin qetësinë. /Telegrafi/