Real Madridi po shqyrton pesë opsione për mesfushën, teksa synon të zgjidhë një problem që ka ndikuar në aftësinë e skuadrës për t’i kontrolluar ndeshjet dhe për të krijuar raste shënimi.
Në këtë drejtim, Adam Wharton, Kees Smit, Martin Zubimendi, Manu Kone dhe Alex Scott kanë dalë si emra që po shqyrtohen nga klubi madrilen, ndërsa njëri prej objektivave ka një çmim prej më shumë se 100 milionë eurosh.
Sipas gazetarit Miguel Serrano, siç raporton “Defensa Central”, Wharton është mesfushori që Real Madridi e pëlqen më së shumti, ndonëse vlerësimi financiar i Crystal Palace mund ta vështirësojë transferimin e reprezentuesit anglez në “Santiago Bernabeu”.
Serrano shpjegoi planet e klubit teksa diskutoi profilet e ndryshme që po shqyrtohen, përfshirë Zubimendin, i cili është shfaqur si një opsion, por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se Real Madridi do të bëjë përpjekje për ta transferuar.
“Martin Zubimendi? Fakti që është shfaqur një opsion i ri nuk do të thotë se ata do ta transferojnë atë. Ndër opsionet që klubi i pëlqen më së shumti për mesfushën është Adam Wharton, lojtari që Real Madridi e admiron më shumë, por ai është i shtrenjtë, pasi Crystal Palace kërkon më shumë se 100 milionë euro”, tha ai fillimisht.
“Opsioni i dytë është Kees Smit, një lojtar që pëlqehet shumë nga stafi teknik i klubit, por Mourinho e sheh atë si shumë të ngjashëm me Arda Gulerin”, shtoi ai tutje.
“Opsioni i tretë, i propozuar nga Mourinho, është Kone, i cili luan për Romën, por te Real Madridi e shohin atë si një kopje të Fede Valverdes. Këtu hyn në skenë opsioni i Alex Scottit, mesfushorit të Bournemouthit, kontrata e të cilit skadon në vitin 2028”, deklaroi gazetari.
Pesë kandidatët ofrojnë cilësi të ndryshme, por lista e ngushtë e objektivave tregon gjithashtu dallimin mes asaj që dëshiron klubi dhe asaj që kërkon Mourinho.
Ndonëse Smiti ka admirues brenda klubit, raportohet se trajneri sheh ngjashmëri mes mesfushorit holandez dhe Arda Gulerit.
Ndërkohë, Kone është një opsion i propozuar nga Mourinho, megjithëse Real Madridi e konsideron atë një lojtar me profil të ngjashëm me Federico Valverden.
Scott hyn në diskutim si një tjetër alternativë, ndërsa kontrata e tij me Bournemouthin është e vlefshme deri në vitin 2028.
Pyetja kryesore mbetet nëse Real Madridi do të vendosë të transferojë mesfushorin kreativ për të cilin ka nevojë.
Dështimi për ta siguruar Rodrin verën e kaluar u pasua nga vendimi për të mos ndjekur transferimin e një lojtari tjetër për atë rol, pavarësisht nevojës për përforcime.
Drejtuesit e klubit shpesh kanë hezituar t’i rishikojnë vendimet e tyre në planifikimin sportiv, veçanërisht kur besojnë se sukseset e mëparshme në afatet kalimtare nuk janë vlerësuar sa duhet, edhe pse mesfusha mbetet një repart që kërkon vëmendje.
Vendimi për përforcimet do të varet gjithashtu nga e ardhmja e Mourinhos.
Nëse rezultatet përkeqësohen më tej, pasiguria rreth trajnerit mund t’i ndërlikojë planet e klubit, por për momentin Wharton duket të jetë objektivi kryesor.
Megjithatë, duke pasur parasysh vlerësimin e lartë financiar të tij, Real Madridi mund të detyrohet të shqyrtojë alternativa më të përballueshme.