×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Recidivist, i alkoolizuar – detaje të reja për shoferin që i goditi me veturë të miturit në Pejë

    Insajderi
    08 April 2024 - 14:19
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Prokuroria Themelore në Pejë ka parashtruar kërkesën për paraburgimin e shoferit, Kujtim Miftarajt, i cili lëndoi katër persona të dielën në qytetin e Pejës. Dy prej tyre të mitur. Insajderi ju sjell detajet e rastit.

    Miftaraj në momentin e aksidentit del se ka qenë i pirë, më saktë 0.61 promilë.

    Këto detaje për Insajderin i konfirmoi zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë Shkodran Nikçi teksa shtoi se shoferi në fjalë dyshohet për disa vepra penale.

    “Është recidivist i veprave penale duke përfshirë grabitje, lëndime të lehta dhe posedim të narkotikëve”, tha ai.

    Shoferi në fjalë kishte tentuar të ikte nga vendi i ngjarjes në momentin e shkaktimit të aksidentit, por i njëjti ishte ndalur nga qytetarët.

    Prej 4 të lënduarve, 3 janë trajtuar në Pejë ndërsa njëri (i mitur) po trajtohet në QKUK përkatësisht në Mjekimin Intenziv.

    Siç merr vesh Insajderi, të miturit janë 8 dhe 9 vjeçar, nga komuniteti.

    Në qytetin e Pejës, familjarët e tyre njihen si kasap.

    Burimet po ashtu bëjnë më dije se babai i të lënduarit i cili po trajtohet në QKUK, para 4 vitesh ishte vrarë.

    Rasti del të jetë ende në hetime.

    Për gjendjen e 8 vjeçarit për Insajderin foli sot drejtori i Klinikë se Mjekimit Intenziv Qendor, Shaqir Uka.

    Uka u shpreh se lëndimet e tij janë serioze por që gjendja e përgjithshme prezantohet me qenë më stabile.

    “Pacienti të cilit i referoheni është sjell dje në Mjekimin Intenziv Qendror po vazhdon me qëndru i lidhur me barna dhe aparaturën mjekësore. Lëndimet janë serioze, gjendja e përgjithshme e tij për momentin prezantohet me qenë stabile. Tani jemi në fazën e ekzaminimeve dhe në fazën ku jemi duke u mundur ta stabilizojmë gjendjen e përgjithshme“, konfirmoi ai.

    Për rastin ka folur edhe zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi.

    Ai konfirmoi se dy të miturit kanë marrë lëndime të rënda dhe se njëri është dërguar në QKUK, ndërsa tjetri po trajtohet në spitalin e Pejës.

    “Një person është ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit të shtetit për shkak të veprës penale ‘Rrezikimi i trafikut publik’, ku janë goditur nga vetura dy të mitur këmbësorë. Njëri prej tyre është dërguar për tretman mjekësor në QKUK, kurse tjetri ne Spitalin e Pejës. Dy të miturit kanë lëndime të renda trupore”, tha Nikçi.

    /Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark