Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se është kundër idesë së kushtëzimit të anëtarësimit në Këshill të Evropës me dërgimin e draft-statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe për në Gjykatë Kushtetuese.
Kurti këtë e ka bërë të ditur në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën, ku ka thënë se “non-paper” i evropianëve për Asociacionin ishte refuzuar më herët nga ai, shkruan Gazeta Insajderi.
“Draft-statuti si dokument dështoi të zyrtarizohej. Si i tillë është një non-paper. Qeveria e Kosovës nuk mund t’i dërgojë dokumentet që s’janë zyrtare dhe s’janë pranuar në Gjykatën Kushtetuese. Tri herë u tentua që të futej si kërkesë si parakusht për anëtarësim. Që të tri herat u refuzua”, deklaroi ai.
Kurti u shpreh i pakënaqur që, siç e quajti ai, pengesat për anëtarësim u bënë nga Gjermania dhe Franca e jo nga shtetet që s’e njohin Kosovën.
“Pengesat për anëtarësim në këtë organizatë i mendonim nga shtetet që s’e kanë njohur Kosovën. Por asessi nuk e mendonim se pengesë do të jenë shtetet demokratike… Plotësimi i kritereve për anëtarësim në Këshill të Evropës, është moment krenarie për çdo qytetar të Kosovës dhe aleatëve të saj”, shtoi tutje shefi i Qeverisë. /Insajderi.org/