Nëse një futbollist mund të kalojë një formë të shkëlqyer në klubin e tij dhe i përshtatet filozofisë së trajnerit, pavarësisht moshës, ai mund të kontribuojë në ekipin kombëtar të shtetit të tij. Kemi parë shumë raste, mbrojtësi i madh Van Dajk ka debutuar me Holandën në moshën 24-vjeçare, apo siç kemi rastin e Klaus Gjasulës që luajti ndeshjen e parë me Shqipërinë kur ishte 29 vjeç.
Përpos këtyre rasteve, në kombëtare janë parë edhe rikthime të lojtarëve që mund të jenë harruar për disa kohë, kjo për shkak të shumë faktorëve: forma e tij, zgjedhja e trajnerit, apo edhe pakënaqësia e drejtuesve të federatës së futbollit. Gjithmonë ka rikthime dhe një shans të dytë kur është fjala për futbollin.
Shqipëria tashmë nuk drejtohet nga Edi Reja dhe në stol është ulur Silvinjo. Braziliani ka një grup të madh lojtarësh, të cilët paraardhësi i tij i mbajti të grumbulluar sistematikisht dhe jo sistematikisht për më shumë se tri vjet.
Po ashtu ka edhe lojtarë të rinj që kanë debutuar vetëm një vit më parë. Silvinjo do të njihet me ta në këtë periudhë, para se të vijë ndeshja e parë kualifikuese, shkruan Panorama Sport
Ai do të ndjekë nga afër të gjithë lojtarët kuqezinj për të krijuar në kokën e tij një ide më të mirë, por këtu nuk përjashtohet edhe ndonjë afrim i ri apo edhe ndonjë rikthim i cili është injoruar nga Reja.
Edhe pse objektivi i Silvinjos është që të kualifikohet në “EURO 2024”, nuk do të thotë se s’mund të zbulojë një lojtar që mund të jetë një pikë e fortë për Shqipërinë, gjithmonë duke u mbështetur te filozofia e tij e lojës.
Duke u nisur edhe nga skema më sulmuese që pritet të luhet, emra si Armando Sadiku, Anis Mehmeti, Florian Kamberi, Eduart Rroca dhe të tjerë, presin një shans.