Kandidati për kryetar të FFK-së, Remzi Ejupi, i ka komentuar zhvillimet e fundit që po ndodhin te klubi më i madh në Kosovë, FC Prishtina.
Ejupi që ditë më parë ka deklaruar se do të largohet nga posti i presidentit të Prishtinës pas 18-viteve, ka thënë se klubi tashmë po menaxhohet nga aksionari tjetër të FC Prishtina, Rrahman Haradani.
“Rrahman Haradini do të jetë në krye të klubit. Ai ka kontribuar në dy vitet e fundit dhe ka bërë mirë. Ai e ka ditur mënyrën se si të dalim kampion”, ka thënë Remzi Ejupi në një intervistë për RTK, përcjell Zeri.info.
“Nga viti 2004 deri në vitin 2020 ka pasur mjaft harxhime. Vetëm ATK-së i kemi paguar rreth 2 milionë euro. Prishtina ka kosto të madhe dhe nuk është e lehtë. Kemi edhe probleme me infrastrukturë, kryetari i FFK-së Agim Ademi nuk ka ndihmuar në ndërtimin e një fushe. Agim Ademi na ka uzurpuar edhe fushën stërvitore në Bërnicë. Na ka ndihmuar vetëm me bari, por fushën e kemi ndërtuar vet”, theksoi biznesmeni i fuqishëm kosovar.
Ejupi në krye të Prishtinës është prej vitit 2004. Nën udhëheqjen e tij, Prishtina ka fituar gjashtë tituj të kampionit, pesë Kupa dhe pesë vjet ka garuar në Evropë.