×
  • Sport
  • Sport

    Remzi Ejupi pas largimit nga kryeqytetasit: Prishtina ka qenë edhe mbi Federatën

    Insajderi
    21 September 2023 - 23:24
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Remzi Ejupi mburret me të arriturat e Prishtinës për gati dy dekada, për aq kohë sa ai ishte në krye të këtij klubi të futbollit. Ejupi të enjten i dha fund rrugëtimit të përbashkët 19-vjeçar me Prishtinën. Ejupi thotë se ishte momenti i duhur për t’u bërë ndryshime në klubin, siç e quan ai dhe shumë të tjerë, më të madh në vend.

    Remzi Ejupi edhe zyrtarisht u largua nga Prishtina, ndërsa aksionet e tij, të Naim Ejupit, Fikret Maqastenës dhe Sinan Vllasaliut kaluan tek aksionarët Rrahman Haradini dhe Ragip Mustafa.

    Kuvendi i jashtëzakonshëm i Prishtinës u mbajt në sallën e konferencave të stadiumit “Fadil Vokrri”.

    “Klubi i Prishtinës gjithmonë do të jetë në zemrën time dhe do të jem pranë klubit duke e ndihmuar në çfarëdo aspekti edhe nga jashtë, nëse do të jetë nevoja”, ka thënë Ejupi pas Kuvendit të klubit.

    Ai e mori drejtimin e Prishtinës në vitin 2004. Gjatë kësaj periudhe klubi ka fituar më së shumti trofe në futbollin kosovar. Ka fituar pesë tituj kampioni, gjashtë Kupa të Kosovës dhe pesë vjet ka garuar në Evropë. Por viteve të fundit Prishtina nuk ka pasur suksese të mëdha dhe është ballafaquar me probleme financiare.

    “Klubi i Prishtinës është menaxhuar për 20 vjet me shumë modeste. Kemi arritur që për 17 vjet të menaxhimit të kontribuojmë me mbi 3 milionë euro në shtet. I gjithë futbolli kosovar nuk e arrin atë shifër, pasi jemi shoqëri aksionare dhe kemi qenë të rregullt në atë aspekt”, është shprehur Ejupi.

    Largimin e Remzi Ejupit nga klubi së fundi e ka kërkuar edhe grupi i tifozëve, “Plisat”. Thirrjet kundër tij kanë qenë të shpeshta.

    “Tifozët duan gjithmonë rezultate dhe ato nuk kanë munguar për këto 20 vjet. Por mendoj se janë manipuluar, janë keqpërdorur, pasi kemi qenë pranë tyre. Porosis tifozët dhe qytetarët të jenë më afër klubit sesa kanë qenë deri tash”.

    Afaristi Ejupi ka qenë ndër më kritikët për punën e Federatës së Futbollit të Kosovës. Ka kritikuar edhe ish-kryetarin e ndjerë, Fadil Vokrri, e po ashtu kryetarin aktual të FFK-së, Agim Ademi. Thotë se Prishtina ka qenë mbi Federatën, duke iu referuar organizimeve të ndryshme të ndeshjeve vite më parë, brenda dhe jashtë vendit.

    “Prishtina nuk është cilësuar si opozitë, por na kanë llogaritur si të tillë, për arsye se Prishtina, mund ta them që ka qenë edhe mbi Federatën. Vitet kur Federata nuk ka qenë e pranuar ka qenë vetëm Prishtina që ka dalë jashtë dhe ka sjellë ekipe këtu”, ka theksuar Ejupi.

    Ai krenohet edhe me të arritura të tjera. Kontribut thotë se ka për Ligjin për Sport dhe Ligjin për Sponsorizime në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit.

    Ejupi vlerëson se ka çka t’i japë ende futbollit. Nuk mohon kandidaturën për president të Federatës së Futbollit të Kosovës.

    Ish-kryetari i Prishtinës insiston se mënyra se si është duke u udhëhequr FFK-ja, “lë për të dëshiruar”.

    “Federata është e vjetruar, i duhet freski dhe ndryshim i madh. Kemi një kryetar i cili edhe vet është mërzitur me situatën me veprat, lëndët, paditë. Ndoshta nuk ka pasur kohë të merret me kombëtaren, sa të merret k me veprat e tij dhe lëndët e tij. Një javë brenda, një javë jashtë, kjo na ka kushtuar edhe neve”, është shprehur Ejupi.

    Me të përfunduar me deklarimin për media, Ejupi ftoi Rrahman Haradinin për t’u paraqitur para gazetarëve. Haradini ka thënë se do të punoj për t’ia kthyer reputacionin klubit “bardhekaltër”. Ka theksuar se Prishtina aktualisht nuk ka borxhe ndaj lojtarëve dhe stafit.

    “Klubi i Prishtinës e ka vlerën më të madhe se të gjithë ata që kanë kaluar dhe do të kalojmë edhe ne. Klubi mbetet më i vlefshmi për të gjithë ne. Vullneti jonë ka qenë , është dhe do të mbetet ta kthejmë në binarë Prishtinën. T’ia kthejmë reputacionin aty ku e ka vendin”, ka thënë Haradini.

    Haradini do t’i ketë mbi 80 për qind të aksioneve në klub. Aksionarët e tjerë janë Ragip Mustafa, Hashim Deshishku, Hakif Gashi, Beqit Qerkezi dhe Fatos Hoxha. Pra një periudhë e re po nis me Prishtinë. Për kontributin për klubin, Remzi Ejupi është shpallur kryetar nderi i Prishtinës. /koha/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark