16:39 - 03 Janar 2022

“Foreign Affairs”

Xi Jinping e shijoi shumë atë moment. Duke folur përpara mbledhjes vjetore të Kongresit Kombëtar Popullor të Partisë komuniste para rreth 3.000 delegatëve në marsin e këtij viti, presidenti kinez deklaroi se vendi i tij kishte qenë i pari që zbuti pandeminë e Covid-19, i pari që rifilloi punën, dhe i pari që shënoi një rritje ekonomike pozitive.

Sipas Xi kjo ishte pasojë “e vetëbesimit në rrugën tonë, vetëbesimit tek teoritë tona, sistemi dhe kultura jonë”. Për të suksesi i Kinës në kontrollin e përhapjes së koronavirusit të ri, ishte një dëshmi shtesë se ishte në rrugën e duhur:Kina po rifiton pozicionin e saj historik të lidershipit në qendër të skenës globale.

Historia e shkurtër zyrtare e Partisë Komuniste Kineze (PKK), që u botua në prill e përforcoi vlerësimin e tij. Ajo pretendonte ndër të tjera se Xi e ka sjellë Kinën “më pranë qendrës së skenës botërore sa s`ka qenë ndonjëherë, se kombi nuk ka qenë kurrë më afër rilindjes së vet”.

Në fakt, Kina ka tashmë një pozicion qendror në sistemin ndërkombëtar. Është fuqia më e madhe tregtare në botë, dhe burimi më i madh i huadhënies globale. Ajo krenohet me popullsinë dhe ushtrinë më të madhe në botë, dhe është shndërruar në një qendër globale të inovacionit teknologjik.

Shumica e analistëve parashikojnë se PBB-ja reale e Kinës do ta kalojë atë të Shteteve të Bashkuara deri në vitin 2030, për ta bërë ekonominë kineze më të madhen në botë. Për më tepër, siç e ka treguar edhe evolucioni i pandemisë, përgjigja e Kinës ndaj sfidave globale ka pasoja të mëdha për pjesën tjetër të botës.

Por teksa ambicia e Xi dhe rëndësia globale e Kinës janë bërë të padiskutueshme, shumë analistë vazhdojnë të pyesin nëse Pekini dëshiron të ndërtojë një rend të ri ndërkombëtar apo thjesht të imponojë disa rregullime ndaj atij aktual, duke çuar përpara interesat dhe preferencat vetjake pa e transformuar rrënjësisht sistemin global.

Ata argumentojnë se orientimi i Pekinit është jashtëzakonisht mbrojtës, dhe i projektuar vetëm për të mbrojtur veten nga kritikat ndaj sistemit të tij politik, dhe për të përmbushur një grup të kufizuar pretendimesh për sovranitet. Por kësaj pikëpamje i shpëton qëllimi i vizionit të Xi.

Ky i fundit nënkupton diçka më shumë sesa vetëm siguria, dhe kërkon që pesha relative e zërit apo ndikimit të Kinës brenda sistemit ekzistues ndërkombëtar të përfaqësohet në mënyrën e duhur. Tezat e Xi nënkuptojnë një rend ndërkombëtar të transformuar rrënjësisht.

Sado i papërsosur rendi ndërkombëtar i pas Luftës së Dytë Botërore u formësua kryesisht nga demokracitë liberale, të cilat ishin të përkushtuara në parim ndaj të drejtave universale të njeriut, shtetit të së drejtës, tregjeve të lira dhe ndërhyrjes së kufizuar të shtetit në jetën politike dhe sociale të qytetarëve të tyre.

Institucionet shumëpalëshe dhe ligjet ndërkombëtar u krijuan për t’i çuar përpara këto vlera dhe norma, dhe teknologjia është përdorur shpesh për t’i forcuar ato. Megjithatë, Xi po synon t’i zëvendësojë ato vlera me primatin e shtetit.

Institucionet, ligjet dhe teknologjia në këtë rend të ri e përforcojnë kontrollin shtetëror, kufizojnë liritë individuale dhe tregjet e hapura. Ajo e Xi-së është një botë në të cilën shteti kontrollon fluksin e informacionit dhe kapitalit si brenda kufijve të tij po ashtu edhe përtej kufijve ndërkombëtarë, dhe ku nuk ekziston asnjë kontroll i pavarur mbi fuqinë e tij.

Zyrtarët dhe studiuesit kinezë duken të sigurt se pjesa tjetër e botës po pajtohet me vizionin e Xi, teksa trumbetojnë:“Lindja po ngrihet dhe Perëndimi po bie!”.Por pasi bëhen të qarta kostot e plota politike dhe ekonomike të përqafimit të modelit kinez,shumë vende duken gjithnjë e më pak të apasionuara pas nismave të guximshme të Xi.

Rruga e Xi drejt një bote të riorganizuar fillon me ri-vizatimin e hartës së Kinës, pra pohimi i sovranitetit mbi territoret e kontestuara prej kohësh:Hong Kongun, Detin e Kinës Jugore dhe Tajvanin. Pekini tashmë e ka vënë plotësisht nën kontroll Hong Kongun.

Në vitin 2020, Kina miratoi një ligj të sigurisë kombëtare mbi qytetin kozmopolit,i cili i dha fund autonomisë së tij sipas modelit të qeverisjes “një vend, dy sisteme”, që u vendos në vitin 1997 në kohën kur Londra ia dorëzoi Hong Kongun Pekinit.

Po ashtu Xi ka bërë hapa të tjerë përpara për forcimin e sovranitetit kinez në Detin e Kinës Jugore. Ai ka ndërtuar dhe militarizuar shtatë ishuj artificialë në det të hapur, dhe pretendon  shumë ishuj të tjerë dhe hapësirë detare. Por asnjë hartë e re e Kinës nuk do të ishte e pranueshme për Xi, nëse nuk do të përmbante kontrollin edhe mbi Tajvanin.

Në Kongresin XIX të Partisë Komuniste në tetor 2017, Xi deklaroi se bashkimi me Tajvanin ishte një nga 14 pikat e domosdoshme për të arritur “përtëritjen e madhe të kombit kinez”. Stërvitjet gjithnjë e më kërcënuese ushtarake të Pekinit përgjatë bregut të Tajvanit, provokojnë diskutime të shpeshta për një sulm të mundshëm ushtarak kinez.

Por përpjekjet e Xi për të frikësuar Tajvanin nuk kanë arritur ta bindin vendin ishullor që ta pranojë bashkimin. Përkundrazi, ato kanë sjellë një reagim të ashpër si brenda Tajvanit po ashtu edhe jashtë tij. Një përqindje më e madhe e tajvanezëve janë pro pavarësisë, ndërsa gjithnjë e më shumë vende po ofrojnë mbështetje për Tajvanin.

Ndërkohë Kina është angazhuar që të zëvendësojë Shtetet e Bashkuara si forca dominuese në rajonin e Azi-Paqësorit. Xi ka qenë veçanërisht i suksesshëm në çimentimin e pozicionit të Kinës si një lidere ekonomik rajonale. Kina është partnerja më e madhe tregtare e gati të gjitha vendeve në Azi.

Por Pekini ka qenë më pak i suksesshëm në përpjekjet e tij për ta pozicionuar veten si aktori kryesor i sigurisë në rajon, një rol që e ka luajtur prej kohësh SHBA. Madje zgjerimi i ndikimi ushtarak të Pekinit në rajon, e ka minuar drejtpërdrejt këtë synim.

Një studim me ekspertë dhe biznesmenë në Azisë Juglindore, zbuloi se më pak se 2 për qind e tyre besonin se Kina ishte një fuqi e mirë dhe dashamirës, dhe më pak se 20 për qind ishin të sigurt ose shumë të sigurt se Kina do të “bënte gjënë e duhur”. Madje sjellja e Kinës ka riaktivizuar gjithashtu partneritetin QUAD, që përfshin Australinë, Indinë, Japoninë dhe Shtetet e Bashkuara.

Ambicia e Xi Jingping për ta vendosur Kinën në krye të skenës globale, përfaqësohet më së miri nga nisma e tij e “Brezit dhe Rrugës” (BRI). E nisur në vitin 2013, ajo ofron vetëm një manifestim fizik të rolit qendror të Kinës nëpërmjet3 korridoreve tokësore dhe tre detare që do të lidhin Kinën me Azinë, Evropën, Lindjen e Mesme dhe Afrikën, por ngjall gjithashtu kujtime historike të Rrugës së Mëndafshit gjatë epokës perandorake.

Sipas një vlerësimi, BRI ka investuar deri më tani nëmë shumë se 60 vende me mbi 200 miliardë dollarë investime kineze. Kjo nismë e ka vendosur vërtet Kinën në qendër të sistemit ndërkombëtar. Por Xi e ka konceptuar BRI edhe si një mjet përmes të cilit Kina mund të transmetojë vlerat e saj politike dhe kulturore.

Tani krahas investimeve, Pekini ofron një sërë programesh të gjera trajnimi politik. Tanzania, një vend pilot i BRI, ka modeluar ligjin e saj të sigurisë kibernetike sipas atij të Kinës, dhe po punon me Pekinin për të kufizuar mediat sociale dhe rrjedhën e informacionit në internet.

Po kjo nismë ka edhe shumë anë të errëta:nivele të larta borxhi, korrupsion, ndotje dhe degradim mjedisor dhe praktika të dobëta të punës. Për këto ka pasur protestat popullore në të gjitha vendet e prekura nga këto investime.

Dëshira e Kinës për ta riorganizuar rendin botëror është shumë ambicioze. Dhe Xi ka arsye të jetë optimist duke qenë se vendi i tij ka bërë qartazi progres në secilin nga dimensionet që ai i ka identifikuar si thelbësore për reformimin e sistemit dhe reputacionit, ndërkohë që ndikimi i Shteteve të Bashkuara është dëmtuar nga grindjet e brendshme dhe mungesa e lidershipit në skenën globale.

Megjithëse Kina ka fituar disa beteja, në fakt duket se po e humbet luftën. Vetëmburrja e Xi mbi reagimin ndaj pandemisë mund të ketë ndikim në Kinë, por komuniteti ndërkombëtar ruan kujtime të gjalla të diplomacisë shantazhuese të Pekinit, agresionit ushtarak, represionit në Hong Kong dhe Xinjiang, si dhe armiqësinë e vazhdueshme rreth përcaktimit të origjinës së virusit.

Nëse Xi do të jetë në gjendje të realizojë ambicien e tij, kjo do të varet nga ndërveprimi i shumë faktorëve, nga njëra anë vitaliteti i vazhdueshëm i ekonomisë dhe ushtrisë kineze dhe mbështetja e liderëve të tjerë të lartë dhe popullit kinez, dhe nga ana tjetër nga aftësia e botës për të vazhduar t’i rezistojë imponimit kinez, dhe nga kapacitetit i demokracive të botës dhe të të tjerëve për të artikuluar dhe ndjekur vizionin e tyre bindës për të ardhmen e botës.

Marrë me shkurtime

Shënim: Elizabeth Economy,është anëtare në Institutin Huver në Universitetin e Stenfordit dhe autore e librit“Bota sipas Kinës”.