Insajderi
Lajme

Reuters: Zgjedhjet në Kosovë ndërsa ngërçi politik rrezikon fondet thelbësore

Insajderi
22 December 2025 - 10:00
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Reuters: Zgjedhjet në Kosovë ndërsa ngërçi politik rrezikon fondet thelbësore
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Kosova do të mbajë zgjedhje parlamentare më 28 dhjetor, pas një viti ngërçi politik që çoi në shpërndarjen e Kuvendit dhe krijoi një boshllëk prej rreth 1 miliard eurosh në financat publike të vendit, shkruan Reuters, përcjell Insajderi.

Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti fitoi zgjedhjet e fundit në shkurt, por nuk arriti të sigurojë shumicën e nevojshme për të formuar qeverinë, as të gjente një partner koalicioni.

Analistët paralajmërojnë se një rezultat i ngjashëm mund ta fusë vendin në një krizë edhe më të thellë, veçanërisht pasi Kuvendi duhet të zgjedhë presidentin e ri brenda katër muajsh dhe të ratifikojë kredi të rëndësishme ndërkombëtare.

“Zgjedhjet do të jenë më të rëndësishmet në historinë e fundit të Kosovës, sepse vijnë pas një viti bllokade dhe pak para zgjedhjes së presidentit,” tha analisti politik Artan Muhaxhiri.

Sipas tij, nëse Kurti fiton sërish rreth 42% të votave, ngërçi politik do të përsëritet, pasi hendeku me partitë e tjera mbetet i pakalueshëm.

Në Kosovë nuk publikohen sondazhe zgjedhore, por sipas vlerësimeve, partitë kryesore opozitare nuk janë të gatshme të bashkëqeverisin me Kurtin, të cilin e akuzojnë për rritje të tensioneve me komunitetin serb në veri, për mungesë përmirësimi të standardit të jetesës dhe për dëmtim të imazhit të Kosovës jashtë vendit.

Kurti, i cili erdhi në pushtet në vitin 2021, fajëson opozitën për bllokadën dhe shprehet optimist se mund të sigurojë shumicën absolute. Në një tubim elektoral, ai premtoi rritje pagash, investime kapitale prej një miliard eurosh në vit dhe krijimin e një njësie të re të prokurorisë kundër krimit të organizuar.

Ngërçi politik ka pasur pasoja të rënda financiare. Rreth 880 milionë euro fonde nga Bashkimi Evropian dhe 127 milionë euro nga Banka Botërore janë vonuar, përfshirë mjete për shëndetësi dhe arsim. Banka Botërore ka paralajmëruar se 90 milionë euro do të humbasin nëse Kuvendi nuk i ratifikon deri më 13 shkurt.

Kosova, një nga vendet më të varfra në Evropë, po përballet me vështirësi serioze ekonomike.

“Njerëzit janë të dëshpëruar. Kanë vështirësi të paguajnë barnat dhe energjinë elektrike,” tha Vlora Çitaku nga PDK-ja, e cila ka premtuar rritje të cilësisë së jetës përmes investimeve në shëndetësi, arsim dhe paga.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark