×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Rikthejmë në vëmendje mbrojtjen që Kurti ia bënte si avokat Nagip Krasniqit që u shkarkua sot nga KEK-u

    Insajderi
    24 April 2024 - 16:23
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e mbronte me zellin më të madh të përzgjedhurin e tij për kryeshef ekzekutiv në Koorporatën Energjetike të Kosovës (KEK). Kurti kishte dalë përpara deputeteve të Kuvendit të Kosovës, ku vinte në pikëpyetje kredibilitetin e Blerim Isufajt për kryeprokuror disa ditë pas arrestimit të Krasniqit për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

    Në fakt, Kurti fliste për fitime në ndërmarrjen e KEK’ut kur përmendej Krasniqi, i cili dyshohet për kontrata milionëshe të dyshimta një-burimore, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Është e vërtetë që dje u arrestua kryeshefi Nagip Krasniqi. Është sistemi i drejtësisë ai që merret me të. Urojmë dhe shpresojmë që të merren me profesionalizëm dhe përpikëri. Është fakt që pati një gëzim opozitar për arrestimin e tij, është fakt i opozitës jo i çështjes. Në të kaluarën ka pasur keqpërdorime marramendëse por nuk janë trajtuar nga prokuroria. Fitimi i KEK’ut më 2022 ka qenë 107 milionë euro. Udhëheqja e KEK’ut ka deponuar në të kaluarën fakte për keqpërdorime, por zelli i prokurorisë për t’u marrë me faktet e keqpërdorimet e mahershme ka qenë zero”, deklaronte shefi i Qeverisë në Kuvend.

    Kurti kontestonte medoemos figurën e Isufajt, duke e akuzuar se s’e ka fituar asnjë rast në gjykatë.

    “Bëhet fjalë për një prokuror, i cili është i mirënjohur në skenën tonë publike, që rastin e vrasje së ish-shefit të AKP’së, Dino Hasanajt, e kategorizoi në vetëvrasje, ndërkaq rastin e vetëvrasjes së ish-drejtorit të informimit në kryeministri, Hamdi Sopa, e shëndrroi në vrasje. Nuk është e rastësishme që prokurorët që vrasjen ta bëjnë vetëvrasje e vetëvrasjen vrasje, përkundër vullnetit dhe qëndrimit të presidentes, kryeministrit dhe kryeparlamentarit, duan me çdo kusht të bëhen kryeprokuror. Nuk do të munden. Jo pse jam unë, jo pse jeni ju, por pse në këtë shtet ka edhe Republikë edhe popull”, deklaronte ai.

    “Në Prokurorinë e Shtetit ekziston një disponim politik negativ gjatë qeverisjes sonë”, shtonte tutje shefi i Qeverisë, duke thënë se Prokuroria në të kaluarën s’kishte interes të hetonte rastet në KEK.

    Kurti s’ishte apologjeti i vetëm i Krasniqit. Armend Muja, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, e përshkruante Nagip Krasniqin si “njeri të mirë”.

    “Nagipi është njeri i mirë. Ka ndonjëherë edhe xhelozi brenda ndërrmarjeve publike. Është ego personale. Por drejtimi i gishtit ndaj njëri tjetrit është joprofesional. Të dhënat nga ATK tregojnë që performancat po përmirësohen. Unë jam në Komision dhe e di çdo kontratë”, thoshte ai.

    “Shikoni të dhënat, nga 154 milionë euro që ka qenë në kohën LDK-PDK ka arrit në 286 milionë euro., KEK-u ka arrit mbi 100 milionë euro fitim”.

    Deputeti Halil Thaçi kishte bërë një reagim skandaloz pas arrestimit të Krasniqit. Në një shkrim me përplot gabime drejtshkrimore, kishte thënë me ironi se është lajm i mirë arrestimi i tij nën frikën se mund të ketë atentat ndaj tij nga “bandat që kanë ndalë zhvatjen e KEK-ut”.

    “Është lajm i mirë kur dëgjova për arrestimin e Drejtorit të Kek-ut, pasi gjithmonë jamë frigu se do të dëgjoj lajmin mbi atentatin ndaj tij, duke e ditur se sa banditave ju ka ndalë zhvatjen e KEK-ut”, kishte thënë ai.

    Krasniqi është shkarkuar sot nga detyra e Kryeshefit Ekzekutiv të KEK-ut. Kjo u bë e ditur nga vet Koorporata Energjetike e Kosovës.

    “Bordi i Drejtorëve (BD) të KEK sh.a. duke qenë i përkushtuar per qeverisjen e korporatës në përputhje me përgjegjësitë dhe kompetencat që rrjedhin nga Ligji për Ndërmarrjet Publike, si dhe parimet e njohura ndërkombëtare për qeverisjen korporative të ndërmarrjeve publike, në mbledhjen e mbajtur dje me datë: 23.04.2024 ka marrë dy vendime të rëndësishme të cilat kontribuojnë në menaxhimin korporatës.Bordi i Drejtorëve të KEK sh.a. ka marrë vendim për të liruar nga detyra tashmë ish Kryeshefin Ekzekutiv, z. Nagip Krasniqi”, u tha në njoftimin e tyre sot.

    Gazeta Insajderi raportoi për disa kontrata të dyshimta që ishin arritur gjatë kohës së Krasniqit në KEK:

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark