Që mosha është thjeshtë një numër, Cristiano Ronaldo e vërteton çdo herë që futet në fushë. Edhe pse 38-vjeçar tashmë, ai vijon të jetë padyshim lideri i skuadrës, aq më tepër kur bëhet fjalë për kombëtaren portugeze. Ylli i Al Nasër dhuroi një tjetër performancë fantastike në fitoren me manita 5-0 përballë Bosnje Hercegovinës në eliminatoret e Europianit. Një 3 pikësh i sigluar që në fraksionin e parë të lojës, aty ku Ronaldo shënoi dy herë. Dopietë golash që thellon rekordin e sulmuesit për numrin e realizimeve me kombëtaren Portugeze.
Tashmë, ai ngjitet në kuotën e 127 golave, për të lënë shumë pas shifrat që mbanin edhe rekordin e mëparshëm, 109 të Ali Daei. Ronaldo shënon të paktën një gol e gjysmë sa herë që vesh fanellën luzitane, duke qenë edhe lojtari që ka luajtur më shumë me kombëtaren, plot 203 herë për të eklipsuar akoma dhe më shumë rekordin që mbahet nga Al-Mutava prej 196 paraqitjeve. Ronaldo shënon të paktën 1.5 gola për ndeshje me kombëtaren, që prej debutimit në vitin 2003.
Edhe kalimi në Arabinë Saudite u duk se zbehu shkëlqimin e Ronaldos, por duket se kjo firmë e ka transformuar totalisht. Viti 2023 do të mbahet edhe njëherë mend prej tij, pasi në 43 ndeshje të luajtura ka shënuar 40 gola dhe dhuruar 9 asistime. 5 herë fituesi i Topit të Artë shënon për herë të 12-të në karrierë këtë kuotë golash gjatë një viti kalendarik. 38-vjeçari parakalon në këtë renditje shifrat e Erling Haland me 39 gola dhe Kilian Mbappe me 35. Gjithsesi, shifrat janë larg me ato rekord të vitit 2013, ku tundi rrjetën në 69 raste.