Anëtari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Eman Rrahmani, ka kritikuar auditoren e përgjithshme, Vlora Spanca, gjatë diskutimit për Raportin e Auditorit të Përgjithshëm për Raportin Vjetor të Auditimit të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2025.
Rrahmani vlerësoi cilësinë e raporteve të auditimit dhe punën dokumentuese të institucionit, por shprehu mospajtim me mënyrën se si Spanca i interpretoi gjetjet e raportit. Sipas tij, deklarimi i saj ngjante më shumë me një qëndrim në mbrojtje të Qeverisë sesa me një paraqitje të mirëfilltë të dokumentit.
“Raportet e auditimit janë goxha në nivel, nëse i shohim e i analizojmë, por nuk pajtohem me interpretimin e auditorës. Më shumë m’u duk si zëdhënëse e Qeverisë sesa paraqitje reale e një dokumenti që e keni”, deklaroi Rrahmani.
Ai theksoi se vlerësimi i tij pozitiv kishte të bënte me punën dhe dokumentimin e raportit, për të cilat e përgëzoi institucionin, ndërsa kritikoi mënyrën e prezantimit të gjetjeve.
“Unë po i flas për punën, dokumentimin, ju përgëzoj, kurse ky deklarimi këtu ka qenë më shumë me qenë ndonjë zëdhënëse e Qeverisë, sepse janë të gjetjet të cilat i keni ju, jo nga ne, janë jashtëzakonisht shqetësuese, por do të flasim një nga një”, u shpreh ai.
Rrahmani bëri të ditur se do ta shfrytëzonte kohën e tij për t’i trajtuar më hollësisht gjetjet e raportit. Ai përmendi edhe përvojën e tij në punën e komisionit, duke iu referuar praktikës së parashtrimit të pyetjeve dhe diskutimit të çështjeve më të detajuara.
“Unë besoj që do ta shfrytëzoj kohën, jam në qetësi, por kam praktikë edhe ka qenë praktik e këtij komisionit me bë pyetje, nuk përgjigj, sepse mund të mendonim pyetje të tjera dhe ka të bëjë me çështje më të detajuara”, deklaroi Rrahmani.
Në përgjigjen e saj, auditorja e përgjithshme, Vlora Spanca, kërkoi kohë për t’i shqyrtuar çështjet e ngritura dhe për t’u kthyer me përgjigje. Ajo gjithashtu reagoi ndaj kritikës së Rrahmanit, duke thënë se deklarimi i saj ishte bazuar në raportin vjetor të auditimit.
“Nëse më lejon pak kohë, e shoh edhe kthehemi me përgjigje. Po paraprakisht, nëse mundem me komentu edhe fjalën e juaj, kur e thatë që më shumë duket si zëdhënëse e Qeverisë. Tash fjala ime është marrë komplet nga raporti vjetor i auditimit dhe mendoj që ka qenë shumë i balancuar”, tha Spanca.
Ajo u shpreh e gatshme të arsyetonte secilën çështje konkrete për të cilën Rrahmani mund të kishte vërejtje.
“Tash, në rast se ka diçka konkrete, unë jam e gatshme me arsyetuar secilën, sepse keni ndoshta edhe një mospërputhje mes asaj çka e tha kryesuesi për cilësinë e raportit financiar, që unë po besoj kryesuesi kur e lexoi, ishte për nivelin lokal”, deklaroi Spanca.
Auditorja e përgjithshme theksoi se opinioni i auditimit ishte i kualifikuar dhe, sipas saj, i bazuar, duke shtuar se e kishte komunikuar atë në kohën e duhur.