Pas një viti të parë të vështirë, Amir Rrahmani ia doli të marrë vendin e titullarit këtë sezon te Napoli, që deri para pak javësh ishte edhe pretendent për titullin, ndërsa tani gara do të vendoset në javën e fundit, mes ekipeve milaneze.
Mbrojtësi i Kosovës deklaroi se ndonëse Milani është më pranë titullit, gjithçka mund të ndodhë në javën e fundit, duke vlerësuar jo pak skuadrën e Sassuolos.
“Do të doja të ishim edhe ne në garë për titullin, pasi kemi bërë një sezon fantastik, por kemi gabuar në 2-3 momente. Në javën e fundit mund të ndodhë gjithçka, pasi nëse Sassuolo luan ashtu siç di, mund të fitojë ndaj Milanit. Emilianët janë një skuadër shumë e mirë dhe dinë të të vënë në vështirësi”, u shpreh Rrahmani.