×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Rrahu sekretarin, kontest gjyqësor me Milaim Zekën| Kush është nipi i Jakup Krasniqit, që e largoi nga puna Rozeta Hajdari?

    Insajderi
    30 January 2024 - 16:56
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Arian Krasniqi, nipi i Jakup Krasniqit (ish-kryeparlamentar që po akuzohet për krime lufte në Hagë), është shkarkuar nga pozita e shërbyesit civil në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ku po udhëheq Rozeta Hajdari. Emri i tij është përmendur më shumë se një herë në media. Për Krasniqin u raportua se e kishte rrahur ish-sekretarin e asokohe MTI’së, Burim Rrecin. Nipi i Jakup Krasniqit po ashtu ka edhe një kontest gjyqësor me gazetarin Milaim Zeka.

    Arian Krasniqi në njoftimin e së martës për largim nga puna prej MINT’it, e vlerësoi shkarkimin si përndjekje nga regjimi, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Largimin nga puna e përjetova rëndë, sepse, kam menduar se kjo dukuri nuk do të na përsëritej, ashtu sikur babës tim dhe anëtarëve tjerë të familjes nga regjimi që kurrë më nuk do të kthehet”, ka deklaruar ai në ‘Facebook’.

    Krasniqi në njoftim tutje kallëzon se si menjëherë pas largimit nga puna, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ia bëri një vend. Atë e punësoi drejtor, ndonëse Krasniqi s’tregoi se në cilin dikaster.

    “Telefonata nga kryetari Lladrovci, i cili kishte dëgjuar për largimin tim nga Ministria, më riktheu optimizmin me një fjali: “Arian, nuk je vetëm, eja filloja punës në komunën e Drenasit”“, deklaroi tutje Krasniqi.

    Për çka u përmend në të kaluarën nipi i Jakup Krasniqit?

    Më 11 nëntor të 2019’ës, Arian Krasniqi, djali i vëllait të Jakup Krasniqit, ishte rrahur me ish-sekretarin e atëkohë MTI’së, Burim Rrecin.

    Në media raportohej se ngjarja kishte ndodhur brenda objektit të ish-MTI’së, ku si shkak i përleshjes ishte nënshkrimi i pagesave të udhëtimeve që i ka bërë jashtë vendit, por, që një gjë të tillë nuk ia kishte dorëzuar sekretari Rreci.

    Krasniqi, bashkë me Rrecin, ishin dërguar për në mbajtje si pasojë e këtij konflikti.

    Nipi i ish-kryeparlamentarit ishte suspenduar nga puna, për t’u rikthyer sërish në punë.

    Kujtojmë se ish-sekretari që ishte përfshirë në rrahje me Krasniqin, Burim Rreci, ishte kapur me drogë në Mal të Zi. Saktësisht, me gati 50 kilogramë substancë narkotike të llojit marihuanë, të cilat u gjenden në veturën e tij.

    Gjithsesi, Krasniqi ka edhe një kontest gjyqësor me gazetarin Milaim Zeka. Ky i fundit e ka paditur për shpifje Krasniqin për një status në ‘Facebook’.

    “E luan rolin e dinosaurit por e bën jeten e zvarranikut”- ishte titulli i postimit të Arian Krasniqit më 2019 që çoi në përballje gjyqësore Zekën dhe nipin e Jakup Krasniqit.

    Nipi i Krasniqit e kishte akuzuar Zekajn atëkohë, duke thënë se në cilësinë e këshilltarit të Bujar Dugollit sa ka qenë ish-ministër i MTI’së, ka shfrytëzuar autoritetin për ta lëshuar me qira një shtëpi kinse të tijën.

    “Milaim Zeka ne kohen sa ka qene keshilltar i ish Ministrit te Tregtise dhe Industrise z. Bujar Dugolli, ka shfrytezuar autoritetin e vet, dhe kunderligjshem duke shperfillur Ligjin per Konflikt Interesi ka arritur qe ta leshoj me qira shtepine ne te cilen ai ka pretenduar qe eshte e tija. Pra ate kohe shtepine ia ka leshuar APIK’ut (tash KIESA) me qira duke perfituar nga pozicioni i tij. E qe ne fakt shtepia ne te cilen ai e ka derguar kete Agjencion ka qene ne emer te nje serbi, kjo i bie qe pala e trete ka perfituar nga presioni i tij, pra shkelje te dyfisht. Duke qene i tille ai del zhveshur dyftyresh ose i paftyre”, ka thënë Krasniqi në një postim të para pesë vitesh.

    Për këtë kontest gjyqësor, më 15 janar të këtij viti Zeka dhe Krasniqi kanë dhënë fjalët përfundimtare të tyre.

    Aktgjykimi për këtë rast, sipas përcaktimeve procedurale, është pritur të nxjerret kah fundi i janarit ose fillimi i shkurtit. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark