×
  • Lajme
  • Insajderi

    Rrëfimi i gazetares së 4-të ukrainase që u vendos në Kosovë: Kosovarët kaluan tragjedinë e njëjtë

    Insajderi
    25 June 2022 - 15:04
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Përderisa pushtimi rus i Ukrainës hyn në muajin e 6-të shpejt, situata sa shkon e përkeqësohet atje. Informacionet për humbjet e mundëshme tek të dy palët janë kontradiktore pasi është vështirë të vlerësohet drejtë, shkruan Insajderi.

    Që nga fillimi, qytetarë të shumtë ukrainas kanë vazhduar rrugën drejt vendeve të tjera, kjo për shkak të rrezikut që ndjenin në situatën e tensionuar.

    Ndër ata që u detyruan ta lënë vendlindjen e tyre ishin edhe gazetarët, e Kosova u bë “shtëpi” për 4 prej tyre.

    Pas, Lyudmila Makeyn, Serhii Shevchenko dhe Liudmyla Mekh, në kryeqytet u vendos edhe gazetarja Daria Meshcheriakova.

    Gazeta Insajderi ka realizuar një intervistë në të cilën Meshcheriakova rrëfehet rreth rrugëtimit për në Kosovë, mendimit që ajo ka për kosovarët dhe situatën mes Rusisë e Ukrainës.

    Intervista e plotë:

    Gazeta Insajderi: Si e përshkruani kthimin tuaj në Kosovë?

    Meshcheriakova: Jam gjithmonë e lumtur që jam kthyer në Kosovë dhe Shqipëri. Ka kaluar një kohë nga vizita ime e fundit, por ndihem shumë e mirëpritur këtu çdo herë.

    Gazeta Insajderi: Si e keni marrë informacionin se vendi ku do të “stacionoheni” ishte Kosova?

    Meshcheriakova: Miku im nga Prishtina e ndau me mua në fillim të prillit. Aplikova një muaj më vonë dhe mbërrita në fund të majit.

    Gazeta Insajderi: Çfarë dini rreth Kosovës?

    Meshcheriakova: Shumë, sepse do të shkruaja doktoraturën time mbi perceptimin e luftës së Kosovës në mediat ukrainase. Kam folur me shumë njerëz dhe kam mbledhur shumë histori.

    Gazeta Insajderi: Si ishte situata në Ukrainë, cili është mendimi juaj për konfliktin?

    Meshcheriakova: Situata ishte dhe është ende shumë kritike. Shumë njerëz vdesin çdo ditë. Burrat më të mirë ukrainas po japin jetën për lirinë tonë në vijën e parë. Ky nuk është një konflikt. Kjo është luftë.

    Rusia sulmoi Ukrainën pa asnjë arsye. Vetëm sepse presidenti i tyre është një imperialist i pastër që mendon se rënia e BRSS ishte gabimi më i madh gjeopolitik.

    Unë vetë jam me origjinë nga Donbasi i pushtuar që nga viti 2014. Më besoni se nuk donim që Rusia të vinte dhe të na “shpëtonte” nga jeta jonë e mirë. Rusia ka shkatërruar të gjitha kujtimet e mia të fëmijërisë në Luhansk dhe më detyroi të merrja macen time dhe të ikja nga shtëpia ime në Kiev.

    Gazeta Insajderi: Si është të ushtrosh profesionin e gazetarisë në kohë lufte?

    Meshcheriakova: Unë nuk kam punuar gjatë luftës. Unë vetëm komentova situatën në Kiev për ndërkombëtarët e ndryshëm në javën e parë dhe më pas ika. Unë rifillova punën time vetëm në maj kur isha ende në Holandë. Por, po, është shumë e rrezikshme të jesh gazetar në kohë lufte.

    Kam humbur disa gazetarë që i njihja personalisht gjatë luftës.

    Gazeta Insajderi: Kthehemi tek çështja e Kosovës, si ishte mikpritja këtu?

    Meshcheriakova: Absolutisht shumë mirë, Asosacioni i Gazetarëve bëri çka mundi që të mund të ndihem e mirëpritur. Kam gjithçka që më duhet për të punuar dhe për tu ndjerë e sigurt.

    Gazeta Insajderi: Çfarë iu bënë më së shumti përshtypje nga Kosova?

    Meshcheriakova: Më pëlqen që njerëzit këtu e kuptojnë se çfarë po kalon Ukraina. Nuk kam pse t’ju shpjegoj se kush është kush në këtë luftë. Sepse shqiptarët në Kosovë kanë kaluar të njëjtën tragjedi në vitet 1998-99.

    Gazeta Insajderi: Sa kemi arritur të kuptojmë ju keni edhe një shqiponjë tatuazh, çka simbolizon ajo?

    Meshcheriakova: Kur kuptova se edhe unë isha e prekur nga propaganda serbo-ruse për luftën, desha të solidarizohem me shqiptarët e Kosovës./Insajderi.org

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark