Komandanti i Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK), Bashkim Jashari, ka pranuar se rreshtimi i gardës së FSK-së ishte “gabim” në ceremoninë ku u nderuan të rënët e Luftës së Parë Botërore. Një ushtarë gjerman dhe një francez. Por në vendin e njëjtë ishte edhe pllakata e dy të rënëve serb.
Ai në Pressing të T7 ka shtuar se “rreshtimi është bërë gabim”, duke e përsëritur se ceremonia ka qenë vetëm për të rënët francezë dhe gjermanë.
“Garda ceremoniale nuk ka shku me i nderu ushtarët serbë. Garda ka shku me ftesë të ambasadës gjermane dhe franceze. Në pllaka janë edhe të rënët gjermanë, francezë, por edhe serbë. Kjo është e tëra”, ka thënë ai.
Por një lëshim të tillë nuk po e pranon edhe Ministria e Mbrojtjes. Përmes një reagimi zyrtar, ministria thotë se nuk është e vërtetë se Togu i Gardës Ceremoniale ka nderuar të rënët serb.
“Në lidhje me lajmin e publikuar nga disa medie se gjoja Togu i Gardës Ceremoniale ka bërë nderime për të rënët serb të vitit 1912, sqarojmë se nuk është e vërtetë”, thuhet në reagim.
Megjithatë, edhe pse Togu i Gradës Ceremoniale nuk kishte shkuar për qëllim t’i nderoj serbët, rreshtimi i tyre pranë pllakatës ku ishin edhe dy të rënë serb ishte gabim.
Dhe fotografitë e publikuara, tregojnë rreshtimin e Togut të Gradës Ceremoniale pranë pllakatës së serbëve që kanë kryer krime ndaj shqiptarëve gjatë viteve 1912-1914.
Në këtë ceremoni mori pjesë edhe Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla.
Reagimet
Këto imazhe kanë ngjallur reagime të shumta.
Një reagim kishte bërë deputeti Enver Dugolli pikërisht në postimin e Ministrisë së Mbrojtjes. Ai tha se çdo justifikim i këtij lloji është gabim në vetëvete.
“Duhet pranuar se ishte lëshim dhe gabim rreshtimi i ushtarëve tanë (pa fajin e tyre) para një pllake ku përkujtohen ushtarët serb të rënë në luftën e parë botërore të cilët historikisht dihet se kanë kryer krime të rënda ndaj shqiptarëve. Është e vërtetë se aty janë edhe dy pllaka tjera përkujtuese për ushtarët francez dhe gjerman, por mbizotëron pllaka e madhe e përkujtimit të ushtarëve serb, prandaj në këtë rast do duhej të pranohej lëshimi-gabimi dhe të mos përsëritej më”, shkruan ai.
I pari që reagoi ishte Adri Nurellari, Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës.
Ai ka reaguar në rrjetin e tij social Facebook në lidhje me prezencën e Rojes së Nderit të FSK-së në ceremoninë e nderimit të ushtarëve të rënë në vitin 1912.
Nurellari thotë se FSK nderoi ata ushtarë që kanë bërë krimet më masive ndaj civilëve shqiptarë gjatë pushtimit të Kosovës dhe luftërave Ballkanike të cilat tronditën faktikisht gjithë botën e qytetëruar për nga mizoria.
“Roja e Nderit e FSK-së ka shkuar dhe ka nderuar një pllakë dedikuar ushtarëve serbë të vrarë gjatë luftërave të viteve 1912-18. Pra kanë nderuar ata ushtarë që kanë bërë krimet më masive ndaj civilëve shqiptarë gjatë pushtimit të Kosovës dhe luftërave Ballkanike të cilat tronditën faktikisht gjithë botën e qytetëruar për nga mizoria”.
Reagim bëri edhe Zyrtari i PSD-së, Nol Nushi.
Nushi ka shkruar duke thënë se askush ende nuk ka kërkuar falje, dhe ende nuk ka ndodhur ndonjë qortim apo dorëheqje, duke përmendur se këtu ka bërë homazhe edhe Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme.
“’Taksistet” dhe “frizeret” e qeveritareve është mire që para se me ra në gjumë me e pa foton me poshtë. Ministri i Mbrojtjes e ka thirre Komandantin e FSK qe te dërgojë togën ceremoniale të nderojë ushtarët e vrarë serb në vitin 1912 kur ata pushtonin Kosovën. Nderime bëri edhe Xhelal Sfeçla! Hala nuk ka kërkua askush falje e mos të flasim për qortim a dorëheqje”, ka shkruar ai.
Ngjarja ka ndodhur më 11 nëntor kur ambasada e GJermanisë dhe e Francë organizuan ceremoni për 104 vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
Aty shihen pjesëtarët e FSK-së afër lapidarit ku janë të rënët serb që kanë kryer krime ndaj shqiptarëve gjatë viteve 1912-1914.
Together with Ambassador @Olivier_Guerot today at 11.00 we marked the Armistice of November 11, 1918 to pay tribute to all those who died for our countries in past and current conflicts and wars. pic.twitter.com/9EHIwXYFhY
— Ambassador Jörn Rohde (@GermanAmbKOS) November 11, 2022