×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Rrezatimi bërthamor, Finlanda i kërkon popullit që të blejë jod

    Insajderi
    12 October 2022 - 23:49
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Qeveria e Finlandës ka dhënë rekomandime të reja për popullatën në rast të rrezatimit bërthamor. Ky shtet ka këshilluar njerëzit nga mosha 4 deri në 40 vjeç dhe gratë shtatzëna të mbajnë rezervë pilula jodi.

    Pas këtij paralajmërimi nga Ministria Finlandeze e Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë, farmacitë në Finlandë kanë shteruar rezervat e tabletave të jodit brenda pak orësh. Siç sqaron kjo ministri në një deklaratë, aktualisht në Finlandë nuk ka tableta jodi për fëmijët nën 3 vjeç për shitje.

    Aktualisht, vendi nordik ka një rrjet masiv të strehimoreve të mbrojtjes civile, rezerva të mëdha strategjike të furnizimeve dhe protokolle emergjente për t’u përballur me pothuajse çdo rast. Këshilla kryesore e autoriteteve vazhdon të jetë strehimi në ambiente të mbyllura, “sepse është mënyra më efektive për të reduktuar ekspozimin ndaj rrezatimit”. Marrja e tabletave të jodit do të ishte “një masë paraprake plotësuese dytësore”, thuhet në tekstin e publikuar nga Ministria.

    Në fakt, kërkesa për këtë produkt, për të cilin nuk kërkohet recetë, ishte aq e lartë, saqë faqja online e rrjetit më të madh të farmacive në vend, Yliopiston Apteekki, ra përkohësisht.

    Finlanda nuk është i vetmi vend afër Rusisë dhe Ukrainës që do të vuante nga pasojat e një sulmi bërthamor. Në gusht, edhe qeveria rumune i bëri thirrje popullatës së saj që të blejë gjithashtu tableta jodi. Me atë rast, shqetësimi i autoriteteve nuk u përqendrua aq shumë në përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore, por në një “katastrofë bërthamore” në uzinën ukrainase në Zaporizhia, e cila është rrethuar vazhdimisht nga forcat ruse, pavarësisht rrezikut që kjo sjell.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark