Në një operacion të përbashkët, ekipi i EOD-së BRAVO 3 i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe ekipet amerikane e finlandeze të EOD-së së KFOR-it, ka larguar 91 predha të kalibrit 88 milimetra nga Stacioni i Trenit në fshatin Shtitaricë të Vushtrrisë.
Siç mëson Klan Kosova, bëhet fjalë për predha të llojit Flak 37/41, prodhim gjerman, të cilat kishin mbetur në atë lokacion që nga viti 1944.
Mjetet e pashpërthyera janë larguar nga vendi ku janë gjetur dhe më pas janë shkatërruar në mënyrë të kontrolluar nga ekipet përkatëse.
Autoritetet kanë bërë të ditur se me realizimin e këtij operacioni është eliminuar një rrezik i madh për banorët e zonës dhe për sigurinë publike.
Po ashtu, është vlerësuar lart bashkëpunimi ndërmjet ekipeve të FSK-së, Policisë së Kosovës dhe KFOR-it, duke theksuar se koordinimi i tyre i vazhdueshëm kontribuon në rritjen e sigurisë dhe mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve në të gjithë Kosovën.