×
  • Lajme
  • Insajderi

    RTK nën presion nga deputetët e VV’së, shkak veprimi i gazetares në konferencën e Hajdarit

    Insajderi
    01 August 2023 - 22:19
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Radio Televizioni i Kosovës është vënë nën presion nga Lëvizja Vetëvendosje, pas aktit protestues të gazetares së televizionit publik nëpërmjet bojkotimit të konferencës së ministres së MINT-it, Rozeta Hajdarit, njësoj sikurse kolegët e saj si shenjë revolte ndaj mbylljes së Klan Kosovës.

    Për ta vënë nën presion RTK-në janë përkujdesur dy deputetë të partisë në pushtet – Enver Dugolli dhe Valon Ramadani. Që të dy i kanë futur duart në politikat editoriale të transmetuesit publik, nën pretendimin se detyra parësore është informimi i publikut, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Paragrafi 3 i nenit 3 i Ligjit për RTK-në përcakton se misioni i parë përveç tjerash i transmetuesit publik që financohet nga taksapaguesit është informimi. Si duket, ky institucion i qenka shmangur sot këtij obligimi ligjor, duke mos qëndruar në konferencën e Ministres Rozeta Hajdari”, ka shkruar Ramadani.

    “…Mirëpo RTK-ja është në media publike, në pronësi të publikut dhe në shërbim të tij, dhe në asnjë mënyrë nuk mund të devijojë nga detyrimet e saj ligjore”.

    Dugolli është shprehur në një linjë me Ramadanin, duke thënë se “Radio Televizioni i Kosovës është transmetuesi i vetëm publik në Republikën e Kosovës, prandaj informimi i publikut është detyra kryesore e këtij mediumi publik”.

    Gazeta Insajderi më herët raportoi me burime se bordi i RTK-së s’e ka mirëpritur vendimin e gazetares që t’i bojkotohet konferenca ministres Hajdari.

    Në edicionin qëndror të lajmeve, televizioni publik ka vendosur pamje të marra nga akterët qeveritarë nga kjo konferencë. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark