Përkundër potencialit të madh për eksport, kompanive vendore iu pamundësohet një gjë e tillë për shkak të barrierave të shumta me të cilat përballen çdo ditë, dhe këto të fundit kanë tendencë që të rrisin punësimin për 13.3 pikë për qind, krahasuar me tremujorin e fundit 2018.
Kështu deklaroi kryetari i Odës Ekonomike, Berat Rukiqi, me rastin e prezantimit të rezultateve të klimës të biznesit në Kosovë për tremujorin e parë 2019.
Në një konferencë për media ai tha se kjo tendencë për rritje të punësimit vjen si rezultat edhe i punëve sezonale.
“Në 465 biznese, 86 për qind e tyre vlerësojnë gjendjen e biznesit të mirë dhe të kënaqshme, ndërsa 18 për qind vlerësojnë gjendjen jo të kënaqshme. Nëse shikohet edhe trendi, kryesisht është një trend pozitiv. Nëse i shohim rritjet për punësim, 44 për qind e kompanive presin që të rrisin punësimin rreth 13.3 pikë të përqindjes, më e lartë se sa në tremujorin e fundit të vitit 2018, apo në atë pjesën e vitit kur sektori i tregtisë me pakicë dhe sektori i shërbimeve edhe mund të ketë ulje të pritjeve për punësim”, tha ai.
Rukiqi tha se edhe indikatori i konfidencës ka shënuar një trend pozitiv dhe është një pjesë e mirë që mund të krahasohet edhe nga indikatorët tjerë. Ai ka folur edhe për studimin rajonal që i është bërë potencialit për eksport, me ç’rast tha se përkundër potencialit për eksport, kompanitë vendore nuk mund të eksportojnë mjaftueshëm.
Sipas tij, mungesa e certifikimit ndërkombëtar del të jetë pengesa kryesore e këtyre kompanive.
“Na del që kompanitë kosovare kanë një potencial, sidomos tek sektori i agrobiznesit. Mirëpo, ka barriera të theksuara: 49 për qind e kompanive konsiderojnë që barriera kryesore për eksport është gjetja e distributorëve, 37 për qind kanë problem me certifikatat e sigurisë ushqimore, 26 për qind mendojnë që tregu i vogël në Kosovë ndikon edhe në potencialin për eksport për shkak se nuk mund të rriten dhe t’i përdorin kapacitetet e tyre, 26 për qind prej tyre e konsiderojnë qasjen në financa si barrierë tjetër, 23 për qind koston e lëndës së parë, dhe 23 për qind tjerë që flasin për përgatitjen ose mos përgatitjen e stafit konform nevojave që ata i kanë”, u shpreh ai.
Ai foli edhe për energjinë e ripërtërirë me ç’rast bëri të ditur se të mërkurën do të organizohet një takim me klubet e bizneseve ku do të diskutohet për politikat mbi energjinë. Teksa përmendi edhe deklaratën e ministrit të Mjedisit, Fatmir Matoshi, i cili pati deklaruar se “shumë prej hidrocentraleve janë ilegale”.
“Nuk e di në çfarë konotacioni ose në çfarë kontesti. Mirëpo, ne e kemi ngritur si çështje dhe kemi kërkuar që të kemi një takim me ministrin që të sqarojmë se këtu ka edhe një problem tjetër. Ato hidrocentrale kanë kaluar edhe procedurat e Ministrisë së Ambientit, nuk kishin mundur me marrë licencë ne rregullator pa leje të Ministrisë. Lejeve mjedisore që po iu referohet tani ministri, janë procedura që rregullohen pasi që hidrocentralet të hyjnë në funksion. Dhe, shumica prej tyre i kanë kërkuar këto leje, por nuk kanë marrë përgjigje nga ministria qe 3 vjet”, tha Rukiqi.