Rusia dhe Shtetet e Bashkuara janë pajtuar që t’i “dyfishojnë përpjekjet” për të gjetur një zgjidhje për konfliktin sirian dhe ta zgjerojnë armëpushimin përgjatë këtij vendi.
“Ne kemi vendosur që ta rikonfirmojmë përkushtimin tonë për armëpushimin në Siri dhe për të shtuar përpjekjet në zbatimin e tij në gjithë vendin”, kanë thënë të dyja palët përmes një kumtese të përbashkët, të lëshuar sot.
Kjo kumtesë vjen në kohën kur përfaqësuesit e SHBA-ve, Bashkimit Evropian, Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe, Katarit, Jordanisë dhe Turqisë, janë mbledhur në Paris, në përpjekje për të vazhduar procesin paqësor për Sirinë.
Riad Hijab, kryesues i koalicionit opozitar sirian, i përkrahur nga Perëndimi, do t’i ndjekë takimet gjithashtu.
Negociatat paqësore për Sirinë në Gjenevë, të ndërmjetësuara nga Kombet e Bashkuara, ndërmjet delegatëve të qeverisë siriane dhe figurave opozitare u ndërprenë muajin e kaluar, pa ndonjë progres të theksuar.