Ish-drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Ditor Haliti, i cili ushtroi këtë funksion nga data 9 dhjetor 2022, ka deklaruar pasurinë e tij në formularin zyrtar për vitin 2025, dorëzuar në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit. Deklarata e tij tregon për një pasuri të konsiderueshme, që përfshin pasuri të paluajtshme, automjete, aksione në biznes dhe kursime bankare me vlera të larta, shkruan Insajderi.
Haliti, përveç detyrës si Drejtor i Përgjithshëm në Institutin e Mjekësisë Ligjore deri më 9 dhjetor 2022, ka qenë i angazhuar edhe si bashkëpunëtor i jashtëm në Fakultetin e Mjekësisë, në Universitetin “Hasan Prishtina”. Bazuar në deklarim, angazhim ishte i përkohshëm dhe u zhvillua nga data 15.02.2024 deri më 31.05.2024.
Pasuria e paluajtshme dhe automjetet
Haliti ka në pronësi një banesë prej 81m², të përfituar përmes kursimeve familjare, me vlerë të deklaruar prej 50,000 euro.
Në kategorinë e pasurive të luajtshme, ai ka deklaruar dy vetura:
Mercedes-Benz (viti 2019), me vlerë prej 23,000 euro, në pronësi të tij të plotë.
Volkswagen (viti 2022), me vlerë prej 22,000 euro, në pronësi të bashkëshortes.

Biznes familjar dhe aksione
Haliti zotëron 100% të aksioneve në një biznes individual me emrin “Tefa Isufaj Haliti B.I.”, të regjistruar që nga viti 2012, me vlerë aksionesh 5,469 euro. Pronësia e aksioneve është deklaruar si e bashkëshortes.
Ditor Haliti ka deklaruar 10 llogari bankare në emër të tij dhe anëtarëve të familjes, të hapura në institucione të ndryshme financiare në Kosovë.
Në emër të tij:
Në Raiffeisen Bank, ka 1,832 euro, të cilat rrjedhin nga paga, mëditje dhe transfere.
Po ashtu në Raiffeisen Bank, ka një llogari me 2,048 dollarë amerikanë, që nuk është konvertuar në euro.
Në NLB Banka, ka një llogari me 159.86 euro, që sipas tij rrjedh nga një “biznes familjar”.
Në emër të bashkëshortes:
Në kontrast të dukshëm me Halitin, bashkëshortja e tij ka kursime që tejkalojnë shumën prej 130 mijë euro. Ajo ka pesë llogari bankare aktive:
115,000 euro në Bankën Kombëtare Tregtare (BKT), të cilat rrjedhin nga shitja e një prone të trashëguar familjare.
6,324 euro nga paga dhe mëditje.
3,901 euro nga puna në sektorin privat shëndetësor.
5,469 euro si kursime nga biznesi familjar.
Dhe një llogari me 15 euro.
Në emër të fëmijëve:
Dy llogari bankare janë të regjistruara në emër të fëmijëve:
Njëra me 5,151 euro dhe tjetra me 5,667 euro, që në total përbëjnë 10,818 euro.
Sipas deklaratës, këto mjete rrjedhin nga pagat mujore, edhe pse nuk specifikohet më shumë.

Të ardhurat vjetore
Vetëm nga paga vjetore në Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe angazhimet akademike, Ditor Haliti ka deklaruar mbi 25,000 euro.
Përveç këtyre, ai ka përfituar:
1,066.89 euro për udhëtime zyrtare jashtë vendit, dhe
755 euro si kompensim nga kompania AirHelp në Austri.
Ndërkohë, bashkëshortja e tij ka të ardhura të larta nga pozitat e saj në sektorin publik dhe privat:
20,719.32 euro nga SHSKUK,
14,016.39 euro nga Spitali Amerikan i Kosovës,
17,060.00 euro nga Prokuroria dhe Gjykatat,
si dhe kompensime shtesë që tejkalojnë 3,000 euro nga institucione të tjera.

Deri së fundmi, Ditor Haliti ka ushtruar detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Institutit të Mjekësisë Ligjore, ndërsa aktualisht është emëruar si Ushtrues Detyre i Divizionit për Personat e Zhdukur./Insajderi