×
  • Lajme
  • Insajderi / Ballina 5

    “Sa më shumë tendera aq më shumë para për dosta”, Vetëvendosje akuzon Qeverisjen e PDK’së, nga Komuna e Prizrenit flasin për Insajderin

    Insajderi
    30 October 2022 - 16:42
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Opozita në Prizren ka drejtuar përsëri akuza në drejtim të Qeverisjes së Partisë Demokratike të Kosovës në këtë komunë.

    Kësaj radhe, asamblistja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Dafina Alishani bëri të ditur se pushteti komunal ka hapur thirrje për tender për herë të dytë për mirëmbajtje të oborreve dhe kopshteve të objekteve shëndetësore me vlerë 155.000.00 Euro.

    Alishani akuzoi qeverisjen aktuale keqmenaxhim. Ajo tha se komuna ka nënshkruar kontrata edhe për këtë shërbim para disa muajve dhe se ato janë aktive.

    “Komuna ka kontratë 3 vjeqare me Caritas-in ku një ndër shërbimet që duhet mirren është edhe mirëmbajtja e objekteve shëndetësore. E nënshkruar me 24.08.2022, valide deri më 23.08.2025. Komuna ka tender aktive e cila lejon me ble pajisje jomedicionale. Po ashtu talent, ke marrë vendim që të bëhet hapja e tenderit për pastrimin e thellë apo gjeneral të objekteve shëndetësore, gjë që e lejon edhe me këtë të bëhet ky shërbim. (Vendimi i publikuar më datë 27.09.2022)”, ka shkruar Alishani.

    Sipas saj, ky tender tregon se PDK dhe AAK kanë qëllim pasurimin e dostave të tyre.

    “Pse ke nevoj me i shpenzu edhe 155.000.00 Euro kot? Sa më shumë tendera aq më shumë para për dosta. Deri tani nuk kam pa që ndonjë qytetar që është ankuar se pse nuk ka trëndafila në oborre të QKMF, por është ankuar për mungesë të shërbimeve o talent”, shtoi ndër të tjera Alishani.

    Për këtë veprim të Komunës, Gazeta Insajderi ka kontaktuar zyrtarët e Prizrenit.

    Drejtoresha e Shëndetësisë, Burbuqe Berisha ka thënë se kontrata e nënshkruar me Caritas nuk mund t’i mbulojë përmasat të cilat janë paraparë me këtë tenderë.

    “Lidhur me tenderin për mirëmbajtjen e oborreve dhe kopshteve të objekteve shëndetësore, dua të ju njoftoj se paramasat të cilat janë paraparë me këtë projekt, janë paramasa të cilat nuk mund të mbulohen nga kontrata e cekur me Caritas, pasiqë në paramasat e thirrjes për tender për mirëmbajtjen e oborreve, ka shërbime si: mbjellja e pishave, prerja dhe kositja e barit, mirëmbajtja e rrethojave, pastrimi i oborreve nga bora, ujitja e pemëve, e të tjera të ngjashme”, deklaroi ajo.

    Berisha tha se në thirrjen e parë asnjëra nga kompanitë nuk ka plotësuar kriteret për fitimin e kontratës për mirëmbajtjen e objekteve shëndetësore.

    “Kjo thirrje është hapur duke u bazuar në nevojat e institucioneve shëndetësore. Thirrja është hapur për herë të dytë, ngase në thirrjen e parë, nuk ka pasur OE të përgjegjshëm sipas kritereve të përcaktuara për fitimin e kësaj kontrate”, u shpreh Berisha.

    Tutje, ajo shtoi se planifikojnë t’i pastrojnë objektet e shëndetësisë në detaje.

    “Me këtë pastrim planifikohet që të bëhet pastrimi detal i objekteve të shëndetësisë primare, duke përfshirë këtu hapësirat të cilat nuk mund të pastrohen në baza ditore nga ana e puntorëve ndihmës, përfshirë këtu edhe pastrimin e fasadave të objekteve shëndetësore”, theksoi Berisha për Insajderin.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark