Autor: Visar Zhiti, shkrimtar
-përsiatje pasditjeje-
…dolëm, edhe pse pasditja ishte e ftohtë dhe temperatura e ulët, nën zero. Eh, sa gjëra janë të ulëta e nën zero, thashë me vete dhe po më pëlqente të ecja andej, ku bora ishte e pashkelur. Shtëpitë ngjanin si në përralla të bukura, të ëndërrta. Perëndimi i diellit kontrastonte magjepsshëm, i kuqerremtë si zjarr dhe m’u nëpërmend titulli i një kënge, të dêgjuar në fëmininë time, “Flakë e borë”.
Kalonin herë pas here vetura, pamë dhe një zonjë, që po shëtiste qenin e saj, u përshëndetëm gëzueshëm. Ngjyrat e përndezura të perëndimit po veniteshin me shpejtësi dhe i thashë sime shoqeje të më bënte një foto shpejt me celular. Zjarr dhe borë, po thosha me vete. Po pse ka kaq shumë urrejtje mes njerëzve tanë, pyeta befas, pse kaq shumë moskuptim, egocentrizëm, xhelozi, sharje e shpifje?
Një gjë po të shohim në FB, të thjeshtë a miqësore, që s’është siç na e do qejfi, menjëherë kundërvihemi me vrull dhe fyerje, pa pritur të kuptojmë se ç’ishte dashur të thuhet, pa e lexuar deri në fund apo pa e lexuar fare, vetem numërojmë mospëlqimet apo like-t dhe në bazë të tyre vendosim marrëdhënien virtuale. Dhe po vazhdoja të thosha, duke qortuar dhe veten, se sa pak lexojmë: romane, shkencë, histori, filozofi, biografë, etj, etj, s’guxova ta shtoja poezinë. Atë së pari duhet ta kemi në jetë.
A thua këto të jenë shkaku që urrejmë kaq shumë? E të duam aq pak? Që nuk i gëzohemi asaj të mire, që edhe kur s’e bëjmë dot vetë, e ka bërë tjetri. Dhe në vend që të bashkohemi si individë të veçantë për arritje të tjera, mundohemi të pengojmë këdo, edhe veten. Mos po e teproja me shqetësimin tim?
Kthehemi në shtëpi, më tha ime shoqe, se po erret. /ObserverKult/