“Buka mund të jetë e freskët apo e vjetër, por e rëndësishme është të piqet mirë”, thotë Nebojsha Bojkoviç.
Shumica e shqiptarëve, as në Shqipëri e as në Kosovë, por as serbët që nuk janë nga ky qytet, nuk kanë dëgjuar kurrë për një specialitet të tillë. Bukë e thekur me vaj dhe erëza.
“Kjo është një nga gjërat më të famshme në Nish dhe shkon me gjithçka, por më së shumti me qofte”, shprehet më tej kuzhinjeri Bojkoviç.
Edhe nëse diçka quhet shqiptare, as për mysafirët e as për kuzhinjerin, kjo nuk është gjë e madhe. Miqësitë me shqiptarët kanë ekzistuar në kohë të ndryshme. Por pak flitet për to.
Pronari i restorantit, që në Serbi njihen si kafana apo taverna të hareshme, Zorislav Stankoviç ka qenë në Shqipëri disa vite më parë, por nuk e ka gjetur specialitetin e tij.
“Në jug të Serbisë e kemi traditë këtë, në veri jo. Kam dëgjuar që Edi Rama do të vijë në Nish dhe besoj se do të ketë rastin ta provojë këtë specialitet, atje ku do të jenë takimet. Nëse jo, është i mirëpritur këtu te ne”, thotë Zorislav Stankoviç.
Besohet se ushtarët serbë që kalonin në Shqipëri për të ikur nga lufta 100 vite më parë, hanin bukë të vjetër me vaj dhe erëza. Politika dhe buka e thekur zakonisht shijojnë bashkë, por në meny kjo futet vetëm në antipastë./TCH