SC Gjilani ka reaguar për vdekjen e ish-futbollistit të tyre, Vedat Ibrahimi.
Ibrahimi vdiq tragjikisht në moshën 52-vjeçare në vendin e tij të punës, njoftoi Policia e Kosovës, shkruan Demokracia.com.
“Kuqebardhët” kanë shprehur ngushëllime për familjen, shokët dhe gjithë komunitetin sportiv.
“E nderuara familja Ibrahimi, me pikëllim morëm lajmin për humbjen e anëtarit të familjes dhe ish-lojtarit të skuadrës sonë Vedat Ibrahimit. Vedati do të kujtohet për sakrificat që i kaluan me bashkëlojtarët e tijë, në kohën e regjimit duke sakrifikuar gjithçka vetëm për ta jetësuar futbollin tonë në atë kohë të vështirë”.
“Me anë të këtij telegrami, shprehim ngushëllimet më të sinqerta drejt familjarëve shokëve dhe gjith komunitetit sportiv, dhe qëndrojmë afër tyre në këto ditë të vështira”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga klubi i Gjilanit.
I ndjeri ishte futbollist i ditëve të para të Gjilanit. Ai pasi kishte luajtur në ekipin e juniorëve, më pas gjatë viteve në okupim ishte pjesë e organizimit në futboll të vogël, duke luajtur për ekipet KF Kosova (Baleci) në futboll të vogël e më pas në vitin 1995, ai ishte pjesë e Gjilanit, ekip me të cilin u shpall kampion në Grupin e Ferizajt.