×
  • Lajme
  • Insajderi

    Sekretari dhe rektori i UP-së shkelin rregulloren, reagon ashpër Parlamenti Studentor

    Insajderi
    21 June 2022 - 20:04
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Zgjedhjet e fundit studentore u shënuan me datë 10 të këtij muaji, si organizata më e votuar doli Unioni Demokratik Studentor, duke lënë në vendin e dytë organizatën e dirixhuar nga Vetëvendosje, “Studim Kritik dhe Veprim”, më pas Reformen e organizatat e tjera pjesmarrëse në zgjedhje, shkruan Insajderi.

    Ani pse një rezultat i tillë doli si përfundim, SKV dhe Reforma arritën të bëjnë një koalicion që i mundëson udhëheqësinë e Parlamentit Studentor, por, vetëm pas datës 30 shtator të këtij viti.

    Të paktën kështu janë rregullat që u thyen nga U.D sekretar i Universitetit të Prishtinës, Besfort Krasniqi.

    Krasniqi, në shpërputhje të plotë me Statutin e UP-së si akti më i lartë juridik i universitetit, ka bërë interpretim të Rregullores për Zgjedhjet Studentore.

    Sipas një komunikate për media nga Parlamenti Studentor, pretendohet se Krasniqi duke qenë i shantazhuar, ka vendosur t’i bëjë favore një pjese të udhëheqjes së universitetit dhe disa organizatave të afërta me Lëvizjen Vetëvendosje.

    “U.D. i Sekretarit të Universitetit të Prishtinës, Besfort Krasniqi, i etur për të marrë mandatin e përhershëm të njeriut kryesor të administratës së UP-së, ka vendosur të bëjë interpretim të Rregullores për Zgjedhjet Studentore në kundërshtim të plotë me Statutin e UP-së si akti më i lartë juridik i universitetit. U.D. i Sekretarit, duke qenë i shantazhuar– ka vendosur t’i bëjë favore një pjesë të udhëheqjes së universitetit dhe disa organizatave të afërta dhe pjesë të Lëvizjes Vetëvendosje”, thuhet në komunikatë.

    Parlamenti Studentor ankesën dhe shqetësimin e tyre e mbështet në shkeljen ligjore që Krasniqi bëri, krejt kjo që sipas tyre të favorizojë disa organizata studentore.

    Duke e ditur që mandati i organeve të zgjedhura tash fillon nga 1 tetori, Krasniqi u mundua që ta shkurtoj këtë periudhë duke ua ndërprerë dhunshëm mandatet senatorëve student aktual, shkruan Insajderi.

    “Bazuar në këto që janë shkruar më lartë, U.D. i Sekretarit të UP-së, Besfort Krasniqi në mënyrë të dhunshme ka ndërprerë mandatet e ligjshme të senatorëve aktual, të cilët kanë mandat deri më 30 shtator 2022”, thuhet tutje në komunikatën për media.

    Gjithashtu, në komunikatë thuhet se rektori i UP-së, Naser Sahiti në mbledhjen e thirrur të datës 26 qershor, tu mundësoj senatorëve të rinjë pjesmarrjen dhe të drejtën e votës në zgjedhjen e antarëve të Këshillit Drejtues.

    “Në mënyrë kundërstatutare, rektori i UP-së ka vendosur që në mbledhjen e thirrur të Senatit për 26 qershor tu mundësojë senatorëve të rinj të jenë pjesë e votimit për zgjedhjen e 5 anëtarëve të Këshillit Drejtues. Edhe pse senatorët e rinj, në bazë të Statutit dhe Rregullores, mandatin e marrin më 1 tetor”, thuhet në komunikatë.

    Ndërkaq, Parlamenti Studentor njoftoi gjithashtu se këto dhe plot fakte tjera do t’i deponojnë në të gjitha institucionet shtetërore, nisur nga Kryeprokurori i Shtetit, Prokuroria Themelore në Prishtinë, Agjencia Antikorrupsion, ambasadave kryesore ndërkombëtare, organizatave të shoqërisë civile.

    Ndër të tjera, për rektorin dhe U.D sekretarin e UP-së do të ngritet kallëzim penal ditëve të ardhshme.

    “Në ditët në vazhdim do të ngrisim Kallëzim Penal ndaj U.D. të Sekretarit dhe Rektorit Naser Sahiti, nëse ky i fundit nuk ndërmerr veprime të shpejta për të vendosur ligjshmërinë në Universitetin e Prishtinës”, thuhet në komunikatën e përgatitur nga Parlamenti Studentor.

    Komunikata e plotë:

    Paligjshmëria e Sekretarit të UP-së, Prokuroria dhe Agjencia Antikorrupsion të reagojë
    Për: Rektorin prof. Naser Sahiti; 

    Për: Anëtarët e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”;

    Për: Anëtarët e Senatit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”;
    Për: Besfort Krasniqi, U.D i Sekretarit të UP-së; 

    Për: Kryeprokurorin Besim Kelmendi;

    Për: Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi; 

    Për: Shefin e Agjencisë Antikorrupsion Yll Buleshkaj

    Nga: Parlamenti i Studentëve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”

    U.D. i Sekretarit të Universitetit të Prishtinës, Besfort Krasniqi, i etur për të marrë mandatin e përhershëm të njeriut kryesor të administratës së UP-së, ka vendosur të bëjë interpretim të Rregullores për Zgjedhjet Studentore në kundërshtim të plotë me Statutin e UP-së si akti më i lartë juridik i universitetit.

    U.D. i Sekretarit, duke qenë i shantazhuar– ka vendosur t’i bëjë favore një pjesë të udhëheqjes së universitetit dhe disa organizatave të afërta dhe pjesë të Lëvizjes Vetëvendosje.

    U.D. i Sekretarit Besfort Krasniqi dukë bërë shkelje ligjore, duke keqpërdorur detyrën zyrtare për t’i bërë favor disa organizatave studentore, ka shkelur rëndë Statutin e UP-së ku saktësohet se mandati i organeve të zgjedhura studentore fillon me 1 tetor dhe zgjatë dy vjet.

    Neni 44: “Mandati i anëtarëve nga radha e studentëve është një vit, pa të drejtë të rizgjedhjes. Mandati i tyre fillon me 1 tetor”.

    Neni 16, paragrafi 3 specifikon, po ashtu, se mandati i organeve qeverisëse fillon më 1 tetor: “Mandati i të gjithë zyrtarëve qeverisës dhe autoriteteve qeverisëse e anëtarëve të tij fillon me 1 tetor, nëse nuk përcaktohet ndryshe me këtë Statut”.

    Në frymën e Statutit, edhe Rregullorja për Zgjedhjet Studentore e përcakton qartë se kur fillon mandati i atyre që kanë marrë pjesë në zgjedhje studentore.

    Neni 53, “Mandati dhe verifikimi i mandatit”, paragrafi 1 shkruan: “Mandati i anëtarëve të PS/KS fillon më 1 tetor të vitit kur janë mbajtur zgjedhjet studentore”.

    Statuti dhe Rregullorja e Universitetit të Prishtinës janë të qarta, nuk kanë dykuptimësi, sqarojnë në detaje kur merret mandati i secilit organ qeverisës edhe i senatorëve të dalë nga zgjedhjet studentore.

    Bazuar në këto që janë shkruar më lartë, U.D. i Sekretarit të UP-së, Besfort Krasniqi në mënyrë të dhunshme ka ndërprerë mandatet e ligjshme të senatorëve aktual, të cilët kanë mandat deri më 30 shtator 2022.

    Në mënyrë kundërstatutare, rektori i UP-së ka vendosur që në mbledhjen e thirrur të Senatit për 26 qershor tu mundësojë senatorëve të rinj të jenë pjesë e votimit për zgjedhjen e 5 anëtarëve të Këshillit Drejtues. Edhe pse senatorët e rinj, në bazë të Statutit dhe Rregullores, mandatin e marrin më 1 tetor.

    Edhe kryetari i Komisionit Qendror i Zgjedhjeve në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, në raportin përfundimtar, profesor Florent Muqaj ua ka konfirmuar se mandati i organeve të reja fillon më 1 tetor.

    Këto dhe plot fakte tjera do t’i deponojmë në të gjitha institucionet shtetërore duke nisur nga Kryeprokurori i Shtetit, Prokuroria Themelore në Prishtinë, Agjencia Antikorrupsion, ambasadave kryesore ndërkombëtare, organizatave të shoqërisë civile.

    Në ditët në vazhdim do të ngrisim Kallëzim Penal ndaj U.D. të Sekretarit dhe Rektorit Naser Sahiti, nëse ky i fundit nuk ndërmerr veprime të shpejta për të vendosur ligjshmërinë në Universitetin e Prishtinës.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark