×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Serbët e Kosovës janë të vetmit që kanë nevojë për viza

    Insajderi
    02 January 2024 - 10:56
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Liberalizimi i vizave ka hyrë në fuqi për banorët e Kosovës, por kjo sipas BE-së nuk vlen për poseduesit e pasaportave të lëshuara nga Departamenti i Koordinimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë.

    Brukseli do t’i mundësonte por Prishtina po kundërshton, shkruan Frankfurter Allgemeine Zeitung.

    “Nëse ky përjashtim mbetet, atëherë serbët e Kosovës do të jenë të vetmit evropianë – pa llogaritur qytetarët e Rusisë dhe Bjellorusisë – të cilëve ende u mohohet liria e udhëtimit në BE”, shkruan kjo gazetë.

    Siç përkujton gazeta, kjo situatë e veçantë u krijua në vitin 2009, kur qytetarëve serbë iu dha mundësia e udhëtimit pa viza.

    Në atë kohë, Komisioni Evropian ka insistuar që të mos bëhet dallimi mes banorëve të Kosovës, kështu që serbët e Kosovës, të cilët regjimi serb i kishte pajisur pasaporta, ata ende nuk kanë mundur të udhëtonin pa viza.

    Tani Komisioni Evropian propozon të shfuqizojë këtë rregull special nga viti 2009. Atë e kapërceu koha me vendosjen e lirisë së vizave për Kosovën, thonë në Bruksel, shkruan Frankfurter Allgemaine.

    Sipas gazetës, këtë e kundërshton qeveria e Kosovës, e cila pretendon se tani gjithnjë e më shumë serbë të Kosovës po aplikojnë për pasaporta të Kosovës, gjë që, i kontribuon integrimit.

    Gazeta e Frankfurtit thekson se edhe më tutje është një numër i vogël i serbëve që janë në kërkim të pasaportës së Kosovës. Vitin e kaluar, sipas të dhënave nga Prishtina, ishin 4.350, ndërsa një vit më parë 3.400.

    Ajo përkujton edhe për letrën që zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi i cili i kishte shkruar Brukselit në nëntor, duke kërkuar që serbët e Kosovës edhe më tutje të mos mund të udhëtojnë në BE me pasaportë serbe dhe duke u kujtuar atyre se ata gjithmonë mund të aplikojnë për pasaportë të Kosovës.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark