Kosova nuk arriti të startojë me kodin e ri telefonik as në mars të këtij viti, ashtu siç ishte premtuar pas negociatave të gjata rreth kësaj çështjeje në Bruksel.
Marrëveshja ishte që një palë e tretë, në këtë rast Austria, të aplikonte tek Organizata Ndërkombëtare e Telekomunikacionit (ITU) për kodin telefonik të Kosovës.
Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, thotë se Serbia ka bllokuar marrëveshjen për kodin telefonik të Kosovës.
“Në përgjithësi në krejt këtë proces të dialogut në Bruksel ku janë arritur shumë marrëveshje, pjesa që nuk është zbatuar apo zbatohet pjesërisht është me fajin e Serbisë e cila nuk i ka përmbushur obligimet zbatuese të dialogut”.
“Sa i takon Kosovës si palë në këto bisedime, të gjitha obligimet tona i kemi kryer më kohë dhe cilësi. Sa i përket kodit telefonik, veprimi konkret në praktikë është bllokuar për shkak se Serbia nuk i ka kryer disa obligime”, ka theksuar Tahiri, njofton Radio Evropa e Lirë.
Ministrja Tahiri, ka ritheksuar se Austria tashmë ka aplikuar në Organizatën Ndërkombëtare të Telekomunikacionit (ITU) për kodin telefonik të Kosovës, në pajtim me marrëveshjen e Brukselit për telekomunikacion. Sipas saj, kodi telefonik i Kosovës do të jetë 383 dhe se ai i mundëson Kosovës njohje dhe sovranitet ndërkombëtar në fushën e telekomunikacionit.
Përveç kodit telefonik, Tahiri ka fajësuar autoritetet serbe për moszbatimin e marrëveshjeve tjera, përfshirë edhe atë për energjinë.
Ndërkohë, Milovan Dreçun, kryetar i Këshillit për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se për çështjen e kodit të telefonisë autoritetet në Prishtinë nuk po i përmbahen marrëveshjes së Brukselit.
“Sa i përket kodit telefonik, marrëveshja nuk është që Prishtina si e pavarur të kërkoj kodin, i cili u ndahet shteteve”, ka thënë ai.
Aktualisht në Kosovë ekzistojnë tre operatorë të telefonisë mobile dhe fikse, të cilët shfrytëzojnë kode të huaja ndërkombëtare.
Telefonia mobile “Vala” shfrytëzon kodin e Monakos (+377), ajo e IPKO-s kodin e Sllovenisë (+386), kurse telefonia fikse shfrytëzon kodin (+381) të Serbisë, e për të cilat Kosova duhet të paguajë kosto të lartë të shpenzimeve.
Drejtori teknik i Telekomit të Kosovës, Mehdi Latifaj, ka treguar për Radion Evropa e Lirë se mungesa e kodit telefonik, Kosovës po vazhdon t’i shkaktojë kosto të lartë.
“Çdo muaj që kalon ne kemi një kosto të lartë operative për shkak të mungesës së kodit shtetëror dhe ajo kosto sillet prej 3.5 milionë euro kosto direkte që paguan kodin e Monakos dhe janë kostot variabile që ndryshojnë varësisht nga volumi i trafikut që marrim brenda një viti nga thirrjet ndërkombëtare e që kalojnë përmes Monakos dhe ajo kosto është 6 deri në 8 milionë euro në vit”, sqaron Latifaj.
Një kohë të gjatë, shton Latifaj, do të merr edhe ndërrimi i mbi 1 milionë sim kartelave të konsumatorëve.
Ndryshe, sipas marrëveshjes së Brukselit dhe deklaratave të zyrtarëve të institucioneve, pavarësisht se aplikimin për kodin telefonik do ta bënte Austria, shteti i Kosovës nuk do të ngarkohej me obligime financiare për këtë shërbim.
Në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, si kompromis ishte paraparë që një vend i Bashkimit Evropian të aplikonte për Kosovën. Austria kishte dalë si vullnetare për ta ndihmuar Kosovën në këtë fushë.