×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Shaip Kamberi tregon dy informacione të rëndësishme për shqiptarët që po u pasivizohen adresat

    Insajderi
    01 January 2024 - 13:14
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ndonëse nuk ka statistika të sakta, llogaritet që rreth 10 mijë shqiptarëve të Luginës së Preshevës u janë pasivizuar adresat nga autoritetet serbe.

    Shaip Kamberi, i cili në dhjetor të vitit që sapo e lamë pas është zgjedhur për herë të tretë deputet në Kuvendin e Serbisë, në një intervistë për “Zërin” ka treguar se çfarë ndodh me pronat e shqiptarëve të cilëve shteti serb ua pasivizon adresat, pra i largon nga regjistri civil.

    Kamberi ka thënë po ashtu se përmes pasivizimit të adresave Serbia po bën spastrim etnik të shqiptarëve në Luginë të Preshevës.

    “Janë dy çështje tejet të rëndësishme që duhet t’i dijë secili qytetar që i është pasivizuar adresa. Serbia nuk mundet t’ua marrë shtetësinë, e ka të pamundur t’ua marrë shtetësinë nëse dikur vullnetarisht nuk e lëshon. Dhe Serbia e ka të pamundur t’ua marrë pronat. Çdo qytetar të cilit i është pasivizuar adresa ka pronë, ka shtëpi, ka mundësi të lajmërojë adresën e re. Tash janë procedurat që në mënyrë selektive po zbatohen vetëm ndaj shqiptarëve, sepse duhet të qëndrosh në shtëpi kur të vijë verifikimi i policisë dy-tri ose pesë herë diku dhe njerëzit në bazë të asaj kanë të drejtë të krijojnë adresë të re. Pasuria e tyre nuk guxon të preket, shtetësia e tyre nuk guxon të preket. Por mendoj se të gjitha rastet e pasivizimit nuk duhet përfunduar vetëm në procedurë administrative, duhet çuar në procedurë gjyqësore secili qytetar individualisht ose qoftë edhe me grupe nëse mblidhen. Sepse ky aplikim selektiv i ligjit në dëm të shqiptarëve nuk duhet toleruar. Kjo tashmë veçse është alarmuar, Parlamenti Evropian ka një rezolutë ku përmendet kjo çështje, Departamenti Amerikan i Shtetit po ashtu e përmend çështjen e pasivizimit të adresave si metodë administrive e spastrimit etnik. Pra është momenti që njerëzit edhe individualisht të nisin procedura gjyqësore për ta detyruar Serbinë të ndryshojë qasje”, deklaroi Kamberi.

    Por, për shkak të mosbesimit ndaj institucioneve të drejtësisë në Serbi, qytetarët hezitojnë t’u drejtohen atyre dhe nuk vazhdojnë me procedurat e tjera dhe për këtë Kamberi insiston që qytetarët t’u drejtohen institucioneve të drejtësisë, në mënyrë që Serbisë t’i bëhet presion më i madh.

    “Thjesht drejtësia në Serbi është e politizuar. Nuk ka garanci se një rast një gjykatës do ta trajtojë në mënyrë të drejtë shqiptarin. Pra është thjesht mungesë besimi në sistemin gjyqësor. Në tërësi në Serbi ekziston një mungesë besimi në sistemin gjyqësor sepse lëndët prolongohen me vite e vite. Megjithatë nuk kemi rrugë të tjera, këto janë rrugët që duhet ndjekur dhe nuk mund ta çojmë as edhe një lëndë në Gjykatën e Strazburgut nëse nuk ndiqen procedurat e brendshme. Prandaj është obligim të ndiqet kjo procedurë, në mënyrë që të krijohet hapësira që lënda ose ndoshta së paku një lëndë të shkojë në Gjykatën e Strazburgut, e që, qoftë edhe me një lëndë, do të ndërtohej një precedan i ri, i cili e detyron Serbinë ta ndërpresë këtë praktikë”, u shpreh Kamberi.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark