Ferat Shala për herë të dytë po kërkon mbështetjen për t’u zgjedhur përfaqësues i qytetarëve në Kuvendin e Kosovës.
Në vazhdën e takimeve me qytetarë, Shala, ka takuar mikun dhe bashkëluftetarin e tij, Shaban Bujupin.
Ai ka kujtuar kohërat e rezistencës dhe luftën e fundit, pasi e tërë familja e Shaban Bujupit ishte e mobilizuar për ta ndihmuar luftën.
“Me mikun dhe bashkëluftëtarin, Shaban Bujupi. Tregimi për Shaban Bujupin është çdo herë frymëzim e inspirim. Të rralla janë ato familje si e Shaban Bujupit që u vu e tëra në shërbim të luftës çlirimtare. Gjatë tërë luftës kjo familje ishte e mobilizuar tërësisht, edhe me fuqinë njerëzore, edhe me ekonominë familjare”, ka shkruar Shala në rrjetin social Facebook.
Sipas tij, Bujupit nuk iu duk pushka e vet, por mori edhe djalin e tij me të cilin luftuan me nderë e heroizëm.
“Shaban Bujupit pak iu duk pushka e vet; ai shumë shpejt në luftë e mori edhe të birin – Besirin, si dhe shumë anëtarë të tjerë të familjes së ngushtë por edhe të gjerë Bujupi. Babë e djalë luftuan bashkë në çdo istikam, me nderë e heroizëm, deri në çlirimin e plotë të vendit”.
“Me Shaban Bujupin kemi fituar shumë beteja të luftës, ndërkaq bashkë do t’i fitojmë edhe betejat e paqes. Ashtu siç ishim të bashkuar në luftës, sot jemi bashkë në procesin e mundimshëm të shtetndërtimit”, ka theksuar ai. /Insajderi.org