×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    SHBA: kompanitë ajrore shtojnë masat e sigurisë

    Insajderi
    15 January 2021 - 11:45
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kompanitë e mëdha ajrore amerikane po shtojnë masat e sigurisë në prag të inaugurimit të presidentit të zgjedhur Joe Biden javën e ardhshme.

    Masat merren në vazhdën e disa incidenteve me mbështetësit e Presidentit Donald Trump, që shkaktuan çrregullime të fluturimeve pas dhunës në Kapitol javën e kaluar.

    Kompania ajrore Delta Air Lines ka përfshirë 880 persona në listën e pasagjerëve që i ndalon të fluturojnë për mosrespektimin e kërkesave për maska. Disa të tjerë kompania nuk i lejon të udhëtojnë me avionët e saj për shkak se kanë ngacmuar udhëtarët ose kanë shfaqur sjellje të padisiplinuara lidhur me rezultatet e zgjedhjeve, tha një zëdhënës.

    Shefi ekzekutiv i kompanisë Delta, Ed Bastian, i tha televizionit CNBC të enjten se duke filluar nga kjo fundjavë kompania do të ndalojë pasagjerët të transportojnë armë zjarri në bagazh në fluturimet për në zonën e Uashingtonit deri sa të përfundojë inaugurimi.

    Të mërkurën, shefi i Administratës Federale të Aviacionit Steve Dickson nënshkroi një urdhër që e autorizon agjencinë të zbatojë një “politikë të tolerancës zero” pas incidenteve me disa mbështetës të Presidentit Trump ditët e fundit.

    Zoti Dickson tha se urdhëri i posaçëm do të zgjaste deri më 30 mars dhe paralajmëroi se udhëtarët që shkaktojnë probleme mund të përballen me gjoba deri në 35,000 dollarë dhe me burgim.

    Javën e kaluar, për shembull, mbështetës të zotit Trump ngacmuan Senatorin e shtetit Juta, Mitt Romney, gjatë një fluturimi me kompaninë Delta për në Uashington.

    Kompania American Airlines tha se do të pezullonte shërbimin e pijeve alkoolike gjatë fluturimeve për në aeroportet e zonës së Uashingtonit nga e shtuna deri më 21 janar.

    Kompanitë ajrore amerikane dhe agjencitë e zbatimit të ligjit kanë forcuar sigurinë në aeroportet e zonës së Uashingtonit pas ngjarjeve të javës së kaluar.

    Alaska Airlines tha të premten se ndalonte 14 persona për të udhëtuar në të ardhmen me avionët e kompanisë së saj për shkak të sjelljeve “të papranueshme” gjatë një fluturimi nga Uashingtoni për në Siatëll.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark