Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ash Carter ka thënë sot se vështirësitë e qeverisë irakiane nuk do ta ndalin fushatën e ushtrisë amerikane për ta forcuar luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik në këtë vend.
Carter tha se Uashingtoni “do ta përshpejtojë fushatën ushtarake sa më shpejt që mundet” kundër militantëve të Shtetit Islamik në Irak.
Pentagoni është duke i bërë gati rekomandimet për mënyrat e rritjes së përkrahjes për luftën tokësore që po bën Iraku, përfshirë edhe një rritje të mundshme të forcave amerikane.
Carter tha se ai pret që presidenti amerikan, Barack Obama, të kërkojë nga vendet e tjera që marrin pjesë javën e ardhshme në një takim në Arabinë Saudite, që të ndihmojnë në përpjekjet më të gjera për ta rindërtuar Irakun, pasi të mposhten militantët e Shtetit Islamik atje.